Edhe foshnjat e ndjenë tërmetin...Metoda e kangurit që hodhi pas tmerrin në maternitetin 'Koço Gliozheni'

4 Dhjetor 2019, 18:08

TIRANË - Një situatë e frikshme është përjetuar në maternitetin "Koço Gliozheni" në Tiranë në momentin e tërmetit të 26 nëntorit, ku veç lëkundjeve të forta, për pak sekonda kanë ikur edhe dritat duke e bërë edhe më të tmerrshme përjetimin. Dy nga infermieret që kanë qenë pranë bebe treguan në emisionin "Pa Gjurmë" në Report Tv, se edhe foshnjat e kanë ndjerë tërmetin, pasi atë ditë kanë qarë më shumë se çdo herë tjetër.

"Bebat atë natë kanë qenë të gjithë të axhituar, qanin më shumë se herët e tjera. kur ndodhi tërmeti, thamë e paskan ndjerë", u shpreh Daniela Bushi, infermiere.

Sapo kanë kaluar panikun e lëkundjeve, infermierit kanë shkuar menjëherë pranë bebeve ku disa prej tyre kishin dalë nga inkubatori.

"Ishte e tmerrshme, aparaturat u çakorduan, inkubatorët u kthyen nga lëvizja. Ishte frika për bebet. Mezi kemi mbledhur veten. shyqyr zotit bebat ishin shumë mirë, kemi beba nga 600 gramë deri në 3 kilogramë. Shumë pak i kishim jashtë inkubatorit, disa i pamë jashtë të kthyer, dhe u tmerruam", thotë Fatjona Malo, infermiere në maternitetin "Koço Gliozheni".

Më tej vëmendja e tyre është përqendruar tek nënat, për t'i qetësuar ato.

"Nënat ishin shumë të shqetësuara, që pas orës 3 e deri vonë kanë qenë afër bebeve të tyre. Ishte një situatë shumë e pasigurt që askush nuk e dinte se cfarë mund të ndodhte.  Përvec se duhet të qetësonim veten ishin edhe gratë që sapo kishin lindur që duhej ti qetësonim. kishim edhe ankthin e familjarëve tanë", kujtojnë infermieret.

Në maternitetin Koço Gliozheni , stafi mendoi që bebet t'i lë pranë nënave, por edhe baballarëve që erdhën menjëherë pas tërmetit. Kontakti trup më trup përmes metodës së kangurit, ka qetësuar gjithçka.