Efektivi i RENEA-s bie në greminë, banori i zonës: Eshte i demtuar rëndë, nuk sjellin helikopter

9 Dhjetor 2019, 11:54

eport Tv ka komunikuar me anë të një lidhje telefonike me njërin prej personave që ndodhen aktualisht pranë efektivit të RENEA-s i cili u rrëzua mëngjesin e sotëm në një greminë në zonën e Thethit.

Pëllumb Guri deklaroi për Report Tv, se efektivi i RENEA-s Bledar Beluli, ka rënë nga 200 metra lartësi dhe ka pësuar dëmtime të shumta, në pjesën e legenit, këmbëve, tek njëra dorë dhe tek brinjët. Sipas tij gjendja e efektivit të RENEA-s nuk është e mirë dhe duhet një ndërhyrje nga ajri për ta nxjerrë që aty, pasi ndodhen 5 orë larg çdo rruge të mundshme.

Pëllumb Guri ndër të tjera ka deklaruar se për momentin në vendin e ngjarjes ndodhen rreth 10 persona mes tyre një efektiv i policisë dhe një doktor i emergjencës së Shkodrës.

Ndër të tjera, punonjësi i zonave të mbrojtura në Theth tregon se gjatë bisedave me efektivin e dëmtuar ka marrë vesh se ai kishte ngatërruar rrugën dhe kishte rrëshqitur në greminë në një moment kur ecte i vetëm në malet e Thethit.


"Gjendemi në një pjesë të alpeve të Shkodrës, në malet e Thethit. Bledari ka rënë prej 200 metrave, ka dëmtuar pjesën e legenit, të dorës, brinjët, është dëmtuar shumë rëndë. Unë jam punonjësi i zonave të mbrojtura në Theth, kam ardhur bashkë me disa banorë të zonës, ka ardhur një doktor i urgjencës së Shkodrës dhe një polic. Është terren super i vështirë. Deri tani kemi fol me gjithë ata njerëz. Na kanë thënë që do të sjellin helikopterin më pas na ka thënë se nuk ka për momentin. Jemi prej orës 8 të mëngjesit. " tha fillimisht Pëllumb Guri.