Ekonomia bie me 7.5% këtë vit, FMN: Në 2021 Shqipëria ka rimëkëmbjen më të lartë në rajon

13 Tetor 2020, 20:19 | Përditesimi i fundit: 2020-10-13 20:20:41

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zyrtarizuar rishikimin e pritshërive për një rënie ekonomike të Shqipërisë me 7.5%  si pasojë e pandemisë. Në fillim priste një tkurrje me 5% por që në raportin e publikuar për “Pasqyrën Ekonomike Globale” parashikimet kanë ndryshuar. Ndikim të madh ka dhënë varësia nga turizmi dhe tregtia me vendet e prekura nga pandemia. Tkurrja më e fortë ekonomike do të jetë për Malin e Zi me -12%, më pas Kroacia, me -9% dhe më pas vjen Shqipëria me Kosovën. Serbia do të jetë vendi që rënien ekonomike do e ketë më të ulët me 2.5%.

Sipas raportit të tyre, parashikohet që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga viti i ardhshëm, ku pritet një rritje ekonomike me 6.1% dhe në vitin 2022 në nivelin e 3.4%

Shqipëria për 2021, sipas FMN do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, e ndjekur nga Kosova.

Më tej ata shtojnë se inflacioni parashikohet të vijojë të jetë i ulët, i ndikuar edhe nga reduktimi i konsumit. Sipas tabelave të FMN-së inflacioni këtë vit do të jetë 1.4%, duke pësuar një rritje në vitin tjetër për të kapur shifrën e 1.7% dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për një inflacion 3%, do të kthehet në vitin 2025, dhe jo në 2022.