'Ekonomia' e shkarkon nga BSH/ Malaj-Ahmetajt: Procedurat për largimin në Amerikë i bëre ti

16 Dhjetor 2019, 15:54

TIRANE-Komisioni i Ekonomisë ka vendosur sot me votim 12-5 (shumica pro dhe opozita kundër) miratimin e kërkesës së qeverisë për pezullimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe vijimin e procedurave për shkarkimin e tij në Kuvend në seancën e radhës. Ish-ministri socialist e ka cilësuar këtë si betejë politike dhe se përgjigjen Edi Ramës do ia japë në Kuvend. Opozita në Kuvend e cilësoi si shkarkimin si dhe seancën si gjyqet në komunizëm, ndërsa në komision nuk mungoi edhe debati mes Malajt dhe Arben Ahmetajt. Malaj i kujtoi Ahmetajt kohën kur ishte kërcënuar familja e tij dhe Ahmetaj kishte ndjekur procedurat për largimin në Amerikë. Malaj paralajmëroi se çështjen do e dërgojë në Strasburg. Qeveria akuzon Malaj se ka thyen kodin e etikës të bankës së Shqipërisë me deklaratat e tij politike. 

Debatet te Komisioni i Ekonomisë
Arben Malaj: Propozimi për shkarkim vjen nga Kryeministri, dhe këtu ka një ngërç institucional. Këtu ka dy firma e Kryeministrit dhe e Këshillit të ministrave. Më shpjegoni procedurën. Kanë sjell njoftim që nuk do të vijnë asnjë përfaqësues i këshillit të ministrave. Çështjen do e çoj në Strasburg, dhe ata nuk vijnë ne një seancë publike. Këtu duhet të jetë patjetër përfaqësuesi i qeverisë. Jam anëtar i Këshillit Mbikqyrës së BSH. Të vij një përfaqësues ta mbrojë këtë propozim. Nuk dua të vijë Rama këtu, të vij dikush tjetër, sepse unë do e coj në Strasburg.
Arben Ahmetaj: Këshilli Ministrave nuk ka dërguar.
Arben Malaj: Unë kujt ti bëjë pyetjet për këtë propozim? Unë nuk i kam këto argumentet. Unë kërkoj audiot e regjistruara ku është shkelje.
Avokati Jordan Daci: A mund të na thoni kush është kërkuesi i shkarkimit nga pikëpamja procedurale.
Arben Ahmetaj: Është një grup deputetësh.
Avokati  Jordan Daci: Ne kemi dyshime në anën procedurale, referuar rregullores së kuvendit, kërkoj që para se të filloj shqyrtimi, duhen dokumentet me argumentet, pasi gjykojmë se ka parregullsi procedurale.
Arben Malaj: Jeni në përplasje kompetencash dhe procedurash. Ju nuk keni shqyrtuar kërkesën e deputetëve. Shumë më kanë mbështetur jo për një karrige pasi do të marr shumë të tjera. Vrasja e fjalës së lirë ka krijuar kriza sociale të mëdha. Parandalimi i krizave nuk vjen nga heshtja. Duke u përballur me 28 deputetë dhe me sulltanin (Rama) i kam shërbyer me dashuri dhe integritet maksimal. Libri ekonomiksi i zhvillimit, është udha ime. Akuzohem se nuk kam qenë në media për gjendjen ekonomike. Nuk ka muaj që nuk kam dhënë deklarata për politikat fiskale. (Malaj sjellë në komision të gjitha daljet e tij në media të përmbledhura). Prezenca ime publike ka qenë maksimale, si për politikat monetare ashtu edhe për ato fiskale. Ju nuk doni pavarësinë e Bankës së Shqipërisë por karrigen e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës. Banka e Shqipërisë ka dalë me një procesverbal ku tregon se është e kënaqur me shërbimin tim dhe nuk ka asnjë ankesë. Kam dhënë vlerësimin tim për çdo temë. I mohoj akuzat politike tërësisht.