TIRANË- Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2021, me një sërë ndryshimesh duke rritur fondet për disa institucione.
Buxheti i ministrisë së Shëndetësisë është vendosur të rritet edhe me 2.2 miliardë lekë duke arritur në rreth 70 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren për pandeminë.
“Duke parë vijimin e pandemisë dhe përshpejtimin e saj, ne morëm në konsideratë një çështje jetike, që është futja e paketës së ilaçeve për kurimin nga COVID-19, në paketën e ilaçeve me rimbursim, nga përllogaritjet e bëra është e nevojshme shtimi i buxhetit me 1.2 miliardë lekë, për të rimbursuar ilaçet për çdo person që preket dhe kurohet me ilaçet. Po tek ministria e Shëndetësisë, një çështje tjetër që ka të bëjë me njerëzit në nevojë ka të bëjë me shtimin me 1 miliardë lekë pagesën e papunësisë”, u shpreh Angjeli.
Edhe pse kishte më shumë kërkesa nga çdo institucion, Komisioni i Ekonomisë ka vendosur të mbështesë vetëm në tre programe ministrinë e infrastrukturës, ku vetëm për naftëtarët e Ballshit do shkojnë 560 milionë lekë.
“Mbështesim Ministrisë së infrastrukturës për tre çështje të rriten investimet e huaja me 20 milionë lekë dhe për programin e agjencinë e efiçensës së energjisë, ndërmarrjet në konservim (kërkesa nga Balluku është 55 milionë euro) dhe për çështjen e naftëtarëve”, u shpreh Angjeli.
“Për naftëtarët duhen 560 milionë lekë. Nuk do të jetë ndihmë ekonomike”, tha Dhëmbi.
“Aq do të vendoset aq sa ju ka premtuar kryeministri”, deklaroi Angjeli.
