Ekskluzive/ 143 kile kokainë në Durrës, një nga importuesit i arrestuar më parë në Itali për trafik heroine e kokaine. Ja pamjet e skanerit që zbuloi drogën

11 Prill 2021, 15:17

Edhe pse policisë i betohet se nuk ka asnjë lidhje me 143 kilet e kokainës së sekuestruar dje në portin e Durrësit, një nga pronarët e shoqërisë “Masabi Fruits” që importoi ngarkesën e bananeve brenda të cilave u zbulua droga, në ta kaluarën është arrestuar në Itali pikërisht për trafik kokaine. Sipas informacioneve eksluzive të marra nga Report TV, Erion Peti, lindur në Tiranë me 11 korrik 1979, është arrestuar me 4 mars 2004 nga karabinierët e Peschiera del Garda në provincën e Veronës për trafik heroine dhe kokaine. Hetuesit italiane e konsideronin si një pjesë të rëndësishme të organizatës dhe pas tij u arrestuan dhe 8 anëtarë të tjerë të të njëjtës organizatë. Gjatë operacionit u sekuestruan 7 kilogramë kokainë dhe heroinë.  

Erion Peti është kushëri i Klajdi Xibrakut, edhe ai ortak me 50 % i “Masabi Fruits” që importonte banane dhe i tregtonte me markën Bo Bananas. Tani policia dhe prokuroria po përpiqen të kuptojnë rolin e tyre në blerjen e 143 kileve të kokainës dhe mbi të gjithë se kush janë gjithë financuesit e kësaj sasie të madhe droge..