TIRANË -Sasia e eurove dhe pronave që dyshohet se i janë dhënë botuesit dhe pronarit të Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, rezulton të jenë marrë hua nga familjarët e Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar me burg përjetë dhe 17.6 vite për vrasjen e efektivit të RENEA, Ibrahim Basha. Sekseri që ka bërë lidhjen mes Adil Alikos, babait të dy vëllezërve të dënuar dhe Henri Çilit, dyshohet se është pikërisht kunati i Çilit, Gazmir Ajdini. Ajdini është vëllai i bashkëshortes së Henri Çilit, dhe duke nisur nga ky besim reciprok, mësohet se Henri Çili, ka pranuar të takojë Adil Alikon dhe ta dëgjojë për hallin që ai kishte me dënimin e dy djemve të tij. Takimin e parë mes Adili e ka kryer me Gazmir Hajdinin, i cili pasi e ka dëgjuar i ka premtuar se do e takonte me Henri Çilin në mënyrë që ai ta dëgjonte dhe çfarë mund të bënte për t'i zgjidhur çështjen. Adil Aliko, mësohet se i është shprehur Gazmirit, se ishte i gatshëm të paguante çdo vlerë të mundshme vetëm për të shpëtuar nga dënimi me burgim të përjetshëm djalin e tij Arbjon Aliko, i cili gjithmonë sipas babait ishte i pafajshëm në ngjarjen e ndodhur në Lazarat në 2015-ën.