Ekskluzive/ Basha shpenzoi 9% të buxhetit të PD për lobim kundër ambasadores së SHBA-së

24 Tetor 2019, 11:04

Shqiptarja.com dhe Report TV zbulojnë burimin e shumës prej 40 mijë USD, të përdorura nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër emërimit të Kathleen Ann Kavalec, e propozuar për pozicionin e ambasadores amerikane në Tiranë.

Në qershor të vitit 2018, Basha firmosi një kontratë lobimi me vlerë 40 mijë dollarë me kompaninë “Sonoran Policy Group”, për të bllokuar kandidaturën e Kathleen Ann Kavalec. Për të financuar këtë kontratë, Lulzim Basha ka shpenzuar 9 për qind të parave të buxhetit të Partisë Demokratike për vitin 2018. Totali i të ardhurave të Partisë Demokratike për vitin 2018 është 52 094 711 lekë, nga të cilat 50 080 408 nga buxheti i shteti i shtetit dhe 2 014 303 nga kuotat e anëtarësimit. Në raportin financiar që Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk specifikohej ndonjë shumë e caktuar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në raport jepet vetëm shuma 4 853 230 në zërin ‘shërbime konsulence’.

Për këtë arsye, Shqiptarja.com iu drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar informacion nëse kishte ‘depozituar Partia Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjatë vitit 2018, dokumentacion për shpenzimin e shumës prej 40 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës’. Pas disa muajsh rezistencë për të mos dhënë sqarime, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më në fund, i urdhëruar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, informon Shqiptarja.com se “Ekspertja Silvana Gjikdhima ka audituar fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga Partia Demokratike. Nga komunikimi me eksperten në lidhje me çështjen që ju pretendoni, ekspertja shprehet se kjo shumë është përfshirë në raportin e Partisë Demokratike në zërin ‘shpenzime konsulence”. Duke e marrë si të mirëqenë përgjigjen e KQZ-së, kreu i PD k shpenzuar 9 % të të ardhurave të partisë, për të lobuar kundër kandidates për ambasadore të SHBA-së në Shqipëri.