Ekskluzive/ Ervis Martinaj, klani 'Duka' dhe i liruari Dokle, në listën e OFL për të justifikuar pasurinë

18 Shkurt 2020, 16:16

TIRANË - Ervis Martinaj, njëri nga biznesmenët e njohur në Tiranë në fushën e basteve sportive, por jo vetëm, është vënë në “lupën” e oficerëve të operacionit “Forca e Ligjit”. Për Martinajn, OFL ka kërkuar informacion në të gjitha bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, zyrës së hipotekës së Tiranës dhe hipotekës së përgjithshme, zyrës së taksave, drejtorisë së regjistrimit të automjeteve dhe jo vetëm.

Martinaj, momentalisht është person në hetim për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-bllokut, ku në një përplasje me armë, Ervis Martinaj mbeti i plagosur në qafë, ndërsa u vra miku i tij Fabiol Gaxha dhe mbeti i plagosur rëndë Eljon Hato. Aktualisht kjo çështje vijon të hetohet nga prokurori Artan Lulaj në prokurorinë Tiranës, ku krahas kësaj ngjarje një tjetër prokurore, Anisa Qilimi, kryen hetime për sa i përket dyshimeve për Martinajn për akuzën e pastrimit të parave.