TIRANË - Shqiptarja.com, sjell një intervistë eksluzive me Ilir Malindin, babain e Gentian Malindit, që është në kërkim për 137 kg kokainë zbuluar në kontenierët me banane të ardhur nga Ekuadori ndaj së cilës DEA amerikane, autoritetet greke dhe shqiptare, bënë dorëzimin e kontrolluar të kontenierëve në Portin e Durrësit.
Ai thotë se makina me targa franceze që policia ka lokalizuar përmes GPS të vendosur në orizin që u ndërrua me pakot me kokainë në portin e Pireut, është në përdorim nga djali i tij Gentian Malindi.
"Djali im ka makinë me targa franceze, atë e ka përdorur. Ja ka marrë një shokut të tij, pronar i një hoteli, i kanë bërë kontroll edhe atij tek hoteli. E ka përdorur gati një muaj e ca djali im, dhe vazhdonte ta përdorë", thotë ai, duke shtuar se me këtë makina ka hyrë dhe ka dalë vazhdimisht në portin e Durrësit për shkak se aty ka anijen e tij. Kujtojmë se Gentian Malindi është biznesmen dhe ka një anije peshkimi.
Të dy personat e arrestuar për kokainën në kontenierë, avokat Ilir Malindi, që ka marrë në dorë çështjen e djalit të tij, thotë se Gentian i njeh. Ardian Bega 53 vjeç, punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit, është mik me 43-vjeçarin Gentian Malindi, ndërsa i arrestuari tjetër, Altin Mislihaka, 35 vjeç, është përfaqësues i komunitetit rom, punonjës pastrimi në anijen e peshkimit të Malindit, "Eniëej".
Djali i tij, 43-vjeçari Gentian Malindi, babai i dy fëmijëve, është në kërkim policor, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet si porositës i kokainës që erdhi nga Ekuadorim tranzit në portin e Pireut me destinacion portin e Durrësit. Avokat Ilir Malindi thotë se ka qenë vetë ai që e ka shtyrë djalin të arratiset dhe t'i fshihet drejtësisë. Në një rrëfim ekskluziv për Shqiptarja.com, avokati thotë se djali i tij ka 5 ditë që është në arrati, kohë kur policia i shkoi për kontroll në banesë.
"Ka 5 ditë që e largova unë menjëherë djalin e shpura diku afër nga Tirana. Veprimet kanë filluar 5 ditë përpara. Policia erdhën për kontroll në shtëpi në orën 09.00 të mëngjesit, ne nuk dinim gjë. Djali ishte diku në një lokal po pinte kafe dhe na lajmërojnë ka ardhur policia. 3-4 furgona, na thanë duam t'i bëjmë kontroll shtëpisë së djalit. Duke parë këtë situatë, dhe duke parë që tim bir ka 10 vjet që e sulmojnë ata kriminelë, banditë, i kam demaskuar të gjithë. E kanë arrestuar e akuzuar, i thash tim biri: "Largohu derisa të zgjidhet situata", se këta të fusin brenda dhe aty të mbajnë, merr pafajësi, e të thonë hidhi në gjyq, pastaj e fito paratë. Unë jam vet avokat i djalit tim", tregon ai.
Por nga doli emri i Gentian Malindit?
Ishte punonjësi i sigurisë në Portin e Durrësit, Ardian Bega, që ka deklaruar se ka qenë me Gentian Malindin dhe se pakot në kontenier i ka marrë me porosi të tij. Por, avokat Malindi jep një tjetër version. Ai thotë se Ardian Bega dhe punëtori i tij, Altin Mislihaka, e kanë telefonuar Gentian Malindin për t'i marrë nga porti i Durrësit. 43-vjeçari ka shkuar me makinën me targa franceze dhe i ka marrë, ku siç thotë babai i tij avokat, njëri prej tyre, pastruesi i anijes, ka qenë me një çantë në krah.
"Djali im nuk ka dijeni për këtë punë. Im bir del që e ka çuar punëtorin e tij atje, se e ka pasur punëtorin e tij. Punëtori është një nga më të varfrit në Shqipëri. Ai vjedh skrap nga porti, i nxjerr nga porti dhe i hedh në ato karrocat me motor të vogël. Ai atë ditë ka dalë dhe ka mbushur çantën. Nuk dimë kush e ka hapur kontenierin, mund ta ketë marrë ai kush e di, por nuk ka flagrancë. Ai i sigurisë portuale, Ardian Bega, e njeh djalin tim, janë shokë, miq. Ai ka deklaruar që unë kam qenë me Gentian Malindin, unë nuk e di këtë punë, por e pash mes deklarimeve, dhe ka thënë edhe që unë jam ulur një ditë në tavolinë me ta dhe u kam folur për politikë. Ai do të ballafaqohet me provat e tjera. Jam i sigurt 1 mijë %, ta garantoj me jetën time që im bir nuk ka prekur asgjë me dorë. Ka dijeni s'ka dijeni, këto janë çështje provash, dhe quhen prova indirekte. Unë besoj dhe jam i bindur që shpresoj të dalë ashtu dua unë. Siç është e vërteta. Pavarësisht se djali ka folur, ai nuk është i implikuar për asgjë. Janë prova kontradiktore. Ata prova kanë deklarimet e Begës. Im bir nuk ka drejtpërsëdrejti asgjë, nëse ai ka bërë marrëveshje të vjetër me ta, është tjetër, problem që unë nuk e di", shprehet Ilir Malindi.
Ai tregon se djali i tij e ka çuar punëtorin në portin e Durrësit, dhe më tej Altin Mislihaka ka dalë nga porti me Ardian Begën dhe kishin një çantë. Siç tregon avokati për Shqiptarja,com djali i tij e ka pyetur se çfarë është, por nuk ka marrë përgjigje dhe ka menduar se mos ishte skrap që punëtori i tij merrte vazhdimisht nga porti.
"Im bir thotë: Po kam qenë, më kanë thirrut, i kam marrë me vete, i kam kthyer prapë. Vajti në port. I thanë: Vonohemi gjysmë ore, vajtën një orë, dhe pastaj i ka marrë prapë. Punëtori ka hipur në makinën e djalit tim, se djali e çoi atje se e di ai ose për peshkim ose për hekurat e skrapit. Djali ka qenë në kafe në hyrje të portit. Ka ardhur punëtori me çantë. Ça i ke e ka pyetur djali - si ka thënë gjë. Ai duket i ka pasur skrap, se me skrap merret ai dhe kanë ikur. Djali im i ka çuar tek tek Ura e Dajlanit, se aty e shesin skrapin. Djali ka ikur ka fjetur në shtëpi. Të nesërmen shkoi në kafe si zakonisht para pune kur lajmërojnë që ka ardhur policia. GPS nuk ka qenë në makinën e djalit tim, ata të thonë çfarë të duan. Makinën e ka pasur djali im, por nuk është kjo makina që thotë policia se ka pasur pakot sepse GPS nuk tregon 100 % në pikë, gabon në 200 metra distancë. Pse të themi që është kjo makinë dhe nuk ësht ëmakinë e shefit të policisë? Nuk ka pasur fare drogë. Droga është marrë nga policia në Pire dhe është bërë kombinacioni, nuk kanë lënë asnjë pako droge. 22 kg oriz ka qenë aty, nuk ka pasur fare drogë", shton Ilir Malindi.
Avokati tregon në intervistën për Shqiptarja.com se pakot janë gjetur në një kanal pranë Shkëmbit të Kavajës, dhe se nuk është gjetur kokainë. Brenda pakove ka pasur oriz me GPS, që janë të njëjtat pako të nxjerra nga kontenierët me banane në Portin e Durrësit, nën mbikëqyrje prej muajit gusht.
"Pakot janë hedhur nga Shkëmbi i Kavajës, dhe nuk kanë gjetur asgjë përveç pakove të orizit që u gjetën në një kanal përmes GPS. Tek orizi qe gjetën nuk u kap asnjë njeri. Njëri u arrestua para 4 ditësh duke pirë sot. Tjetrin e morën që në fillim para 6 ditësh për përgjime ambientale tek krimet e rënda, dhe i lëshuan një herë. Tani ç'kanë folur njëri me tjetrin...", thotë Malindi.
Ardian Begës i është paraqitur një fotografi e punëtorit të anijes, që tashmë është arrestuar, dhe Bega mësohet të jetë shprehur: Po ai ka qenë personi që ka marrë pakot nga kontenieri. Avokat Malindi hedh dyshime se Ardian Bega ka dhënë dëshmi të simuluar duke përmendur si porositës djalin e tij pa pasur asgjë të vërtetë.
I pyetur se si mund të kenë përfunduar pakot të hedhura nga makina, avokati përgjigjet se djali nuk i ka shoqëruar me makinë deri tek Shkëmbi i Kavajës ku u gjetën pakot, por se udhëtimi i tyre është ndalur tek Ura e Dajlanit. "Pakot nga makina mund ti ketë hedhur Bega, ai me shokë ku ka qenë...nuk ka punë im bir fare le të thotë kam qenë me Gentin. Nuk i ka shoqëruar nga Shkëmbi i Kavajës e tutje".
Por ku ndodhet makina që policia thotë se i ka pritur dy të arrestuarit jashtë portit dhe me të cilën kanë lëvizur pakot e marra nga kontenierët?
Avokat Malindi thotë se është vet ai që e ka lëvizur makinën dhe e ka fshehur.
"Makina aty ka qenë, e parkuar afër trotuarit, me makina të tjera. Unë thash hiqeni fshijeni gjëkundi aty, fshijeni fare meqë është bërë kjo punë. Tani që është bërë kjo zhurmë, vetëm nga inati...E hoqa unë e vura në një garazhin tim aty, i thash dikujt tjetër merre se s'po më intereson. Policia e kanë pasur aty makinën 5 ditë", përfundon llir Malindi.