Deputeti i PS, Rrahman Rraja në një intervistë ekskluzive për Report TV ka sqaruar të vërtetën e tij pas denoncimit të n/komisariat Emiljano Nuhu dhe akuzave nga PD për dosjen e djalit të tij. Ditën që Nuhu e akuzon deputetin se ka qenë në komisariat dhe e ka kërcënuar se bashku me vëllanë, Taulant Ballën dhe kryebashkiakun e Krujës, ai e mohon duke thënë se nuk ka qenë, ndërsa shton se gjithë historia plasi, pasi djali i tij e la vajzën, Xhisielën për një tjetër.
Me përgjegjësi të plotë ju them se atë ditë nuk kam qenë as në komisariatin e Krujës dhe as të Fushë Krujës. Kur ka ardhur kallëzimi e kam marrë unë në telefon dhe i kam thënë eja se të kërkon policia. Ai ishte në Sarandë me të dashurën. Dhe kjo është arsyeja pse plasi gjithë kjo, sepse djali im e la për një tjetër.
Rrahman Rraja
Deputeti thotë se nuk e njeh vajzën, ndërsa zbulon se ajo e ka telefonuar njëherë pas problemeve që kishte me djalin e tij.
Po ta shoh si fytyrë rrezik nuk e njoh. E ndoqa mbrëmë intervistën në TV tuaj dhe ajo u tregua e sinqertë. Nuk e kam takuar por një herë më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që donte të bisedonte dicka në lidhje me tim bir. I thashë që nuk ke cfarë bisedon me mua sepse nuk më pyetët mua kur e nisët këtë histori, nuk keni pse më pyesni tani që e mbyllët. Kaq ishte.
Rrahman Rraja
I zgjedhuri i Partisë Socialiste në Krujë mendon që kjo histori mori këto përmasa për arsye politike, pasi gëzon mbështetje në elektorat, prandaj sipas tij, PD e sulmon.
Ajo është keqpërdorur politikisht. Është sulm politik ndaj meje në radhë të parë, sepse nga viti 2000-2018 kam dalë përherë fitues pavarësisht logos së partisë. Kam pasur dhe kam mbështetje në popull. Mos harroni që kësaj here Krujën e fiton PS si asnjëherë më parë.
Rrahman Rraja
Gazetari pranë PD-së, Basir Çollaku publikoi dje dëshminë e policit në komisariatin e Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu i cili deklaroi se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzoi vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.
