Ekskluzive/ Flet për Report Tv Xhisiela Maloku: Ish-oficeri Emiljano Nuhu gënjen, deputetët Balla e Rrahja nuk ishin në polici

26 Shtator 2018, 20:58

Flet ekskluzivisht për Report Tv, Xhisiela Maloku, vajza që denoncoi djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja.  Ajo jep përgjigje për të gjitha pretendimet e ngritura nga ish-nënkomisari Emiljano Nuhu. Në një intervistë ekskluzive për drejtorin e Informacionit në Report Tv, Muhamed Veliu, ka mohuar të gjitha pretendimet e ish-oficerit të policisë.

Ajo thotë se ka tërhequr kallëzimin në polici sepse ndihej e ngarkuar emocionalisht dhe se e kishte zgjidhur mosmarrëveshjen me Rexhep Rrahjen. Xhisiela Maloku, hedh poshtë pretendimin e ish-oficerit Nuhu se në Komisariat ndodheshin deputetët socialistë, Taulant Balla e Rrahman Rrahja, si edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.

Një detaj interesant, që del në pah nga kjo intervistë lidhet me faktin se kontakti i parë që Xhisiela Maloku ka patur me ish-oficerin Nuhu ka qenë data 27 korrik, 7 ditë pas denoncimit dhe vajtjes së saj në komisariatin e Krujës. Deklarimi i Xhisiela Malokut rrëzon një tjetër pretendim të Nuhut, për prezencën e deputetëve socialistë në komisariatin e Krujës. 

Intervista e Xhisiela Malokut

Sa vite keni qenë të lidhur me njëri-tjetrin?

Kemi qenë të lidhur, të dashur për një periudhë të gjatë, më pas i shkëputëm marrëdhëniet për arsye personale.

Më datën 21 korrik 2018, ju keni shkuar në polici dhe keni bërë një denoncim, me çfarë lidhej ky denoncim?

Kisha një konflikt me Rexhepin, shkova në komisariatin nr 3 në Tiranë ku bëra edhe kallëzimin.

Kush e mori kallëzimin?

Kallëzimin e mori një oficer Koldashi, Elton.

Çfarë ndodhi më pas?

Më pas nxorrën urdhër-arresti dhe u morën të gjitha masat për djalin dhe më pas në orën 7 pasdite shkova të tërhiqja kallëzimin tek komisariati në Fushë-Krujë.

Në Fushë-Krujë kush ishte oficeri të cilit i thatë se donit të tërhiqnit denoncimin?

Ishte Gentian Çitozi, oficeri i policisë në Fushë-Krujë.

Cila ishte biseda që ju patët me të?

I tregova  ngjarjen dhe i thashë që dua të tërheq kallëzimin dhe ai mori deklaratën time.

E keni parë një kopje të deklaratës?

Po, dhe të nesërmen e kërkova për ta pare. Shkova në SHKB, për të tërhequr kallëzimin. Unë u sqarova me personin në fjalë, dhe donim ta mbyllnim të dy këtë gjë.

Ku shkuat më pas?

Shkova në SHKB në Durrës. U tërhoqa, pasi isha e ngarkuar emocionalisht nga të gjithë ngjarjet që kishin ndodhur. Pashë mesazhet tek Berisha, kishte dalë në media. Doja ta mbyllja.

A ju ka kërcënuar njeri për të tërhequr kallëzimin?
Jo.

Kur ju ishit në Komisariatin e Fushë-Krujës, Rexhepi ishte i ndaluar  në këtë komisariat?

Po, kur unë kam shkuar aty ai ndodhej në zyrën e Gentian Çitozi.

Patët ndonjë komunikim?

Po, pata. Biseduam normalisht.

Kur jeni takuar me oficerin Emiljano Nuhu?

Një javë më pas pasi u paraqita në komisariatin e Fushë-Krujës, rreth dates 27 korrik.

Keni patur kontakt më herët me oficerin Emiljano Nuhu?

Jo, se kam parë asnjëherë më parë.

Jeni në dijeni të letrës që ka dërguar Emiljano Nuhu për drejtorin e policisë Ardi Veliu, presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryeprokurores Arta Marku?

Po, nëse është deklarata e tij, po e di, prandaj jam këtu. Mund të them që deklarata e tij është 90% gënjeshtër.

Le t’i marrim një e nga një pretendimet e tij. Ai thotë se ka hetuar për veprën penale të përndjekjes. A  keni qenë ju e përndjekur nga Rexhep Rrahja?

Jo, nuk është e vërtetë.

Oficeri thotë se nuk e ka marrë njeri kallëzimin tuaj?
Jo, nuk është e vërtetë. Tek komisariati 3 dhe 6 kanë qenë në gatishmëri.

Në momentin kur ju keni qenë në komisariatin e Fushë-Krujës, kush tjetër, përveç ju të dyve ka qenë në komisariat?

Kanë qenë disa kushërinj të tij, por Taulant Balla dhe Rrahmanin nuk i kam pare fare.

Oficeri Nuhu thotë se deputeti Rrahman Rrahja iu ka thënë policëve: Largohuni se kemi pak punë.?

Jo, nuk është e vërtetë.

    No videos found.