Ekskluzive/ Gjykata i mbyll dosjen Shpëtim Gjikës, bien akuzat për koncesionin e rrugëve

15 Korrik 2019, 21:30

Gjykata e Vlorës ka pushuar akuzën “Shpërdorim detyre” për ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika dhe 7 të pandehurit e tjerë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë Vlorë. Gjika në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, Ardian Musta në cilësinë e nën/kryertarit dhe zyrtarët e tjerë si Ilir Banushi,Arben Beqiraj,Taulla Zanaj,Gentian Sherifaj,Merita Mema dhe Petro Thanasko, ishin vënë në akuzë nga prokuroria e Vlorës për çështjen e konçesionit 15-vjeçar të parkimeve në rrugët e Vlorës. Në muajin shkurt 2019 prokuroria e Vlorës ngrit ndaj të pandehurve të mësipërm akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, duke dërguar dosjen në gjykatë. Por nga muaji shkurt e deri në korrik 2019, dosja hetimore ka qëndruar në zyrën e gjyqtares së seancës paraprake Atalanta Zeqiriaj. Për pesë muaj më rradhë dosja me 8 të pandehur, zyrtarë e ish-zyrtarë të bashkisë Vlorë, është mbajtur në seancë paraprake, ku vetëm pak ditë më parë “Shqiptarja.com” mëson se gjyqtarja Atalanta Zeqiraj ka vendosur të pushojë dosjen penale të prokurorisë, duke mos e kaluar çështjen për gjykim në seancë themeli. Pritet që vendimi i pushimit të akuzës, të ankimohet nga prokurori i çështjes Albert Kuliçaj. Kjo është fitorja e tretë e Shpëtim Gjikës kundër prokurorisë, pasi ka marë dy herë pafajësi përballë akuzave të prokurorisë së Vlorës,njëherë nga gjykata e Tiranës dhe të dytën nga gjykata e Apelit Vlorë.

Dosja e prokurorisë

Dosja penale që prokuroria ka ngritur ndaj 8 të pandehurve, përfshirë dhe Shpëtim Gjikën, flet për një kompani offshore me përfaqësues Bashkim Shalla, e rregjistruar në shtetin e Delaëare USA,e quajtur “Tis Holding LLC”. Kjo kompani së bashku me kompaninë izraelite “On Track Innovations L.T.D”, janë në verifikim e sipër nga prokuroria e Vlorës,pasi prokuroria ka krijuar dyshime të forta se kanë përfituar konçesionin e parkingjeve në Vlorë, në mënyrë jo të rregullt. Këto dyshime janë krijuar, gjatë hetimeve të kryera nga dy prokurorët e çështjes Albert Kuliçi dhe Ardian Ylli, të cilët në 20 shkurt konkluduan në dërgimin e një pjese të dosjes në gjykatë duke, marë të pandehur 8 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Vlorës, mes tyre dhe kryetarin e kësaj bashkie Shpëtim Gjika. Hetimi i prokurorisë së Vlorë çoi në ndjekje penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” të gjithë anëtarët e komisionit që ishte ngarkuar për krijimin e kushteve të dhënies së konçesionit të parkingjeve në 25 rrugët e Vlorës. Më konkretisht janë marë të pandehur Ardian Musta, me detyrë ish-nën/kryetar i bashkisë Vlorë njëherësh dhe ish-drejtor i shërbimeve Publike në këtë bashki. I pandehur është marë dhe Ilir Banushi, dhe më tej Arben Beqiraj me detyrë zv/kryetar i bashkisë Vlorë. Nën akuzë është marë dhe Taulla Zanaj me detyrë Drejtor i Financës në bashkinë e Vlorës,Gentian Sherifaj zyrtar pranë drejtorisë së Urnanistikës në këtë bashki, Merita Mema dhe Petro Thanasko. Sipas përfundimit të hetimit kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dy kompanitë Offshore “Tis Holding LLC” dhe “On Track Innovations L.T.D”, në fitimin e konçesionit 15 vjeçar për parkingjet në rrugët e Vlorës. Dy kompaninë që kishin marë koncesionin e parkingjeve në rrugët e Vlorës kanë filluar punën, ndërkohë pas dy muaj kontrata mes tyre dhe bashkisë është prishur.Tashmë çështja e konçesionit të parkingjeve në rrugët e Vlorës endet dyerve të gjykatës së Arbitrazhit, ku dy kompanitë Offshore i kërkojnë bashkisë së Vlorës, një vlerë financiare prej 20 milion euro.

Gafa në studim që favorizoi konçesionarin

Por nga ana tjetër prokuroria e Vlorës ka çuar 8 persona të pandehur pasi ka krijuar bindjen se me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë abuzuar me detyrën. Sipas prokurorisë rezulton se studimi financiar i paraqitur në Këshillin e Bashkisë Vlorë është paraqitur për një periudhë 10 vjeçare dhe pavarësisht faktit se nga Këshilli i Bashkisë Vlorë është vendosur zgjatja e afatit nga 10 vite në 15 vite, rezulton se ky ndryshim nuk nuk është parashikuar në përllogaritjen e tarifës së konçesionit. Bazuar në studimin e kryer, rezulton se tarifa fikse e koncesionit prej 10 milion lekë nuk është përcaktuar në mënyrë të saktë, pasi sipas këtij studimit të parë me afat 10 vjeçarë është parashikuar se e ardhura vjetore e mundshme është në masën 117.142.544 lekë dhe për periudhën 10 vjeçare këto të ardhura janë në shumën 1.171.425.440 lekë. Referuar sistemit të taksave vendore është parashikuar se detyrimi për tarifën e parkimit është në masën 10% e të ardhurave vjetore, rezulton se tarifa fikse koncesionare që komisioni duhet të përcaktonte është në masën prej 11.714. 254 lekë në vit. “Në kushtet kur afati i dhënies me koncesion është bërë nga 10 vite në 15 vite, duhej ribërë studimi në drejtim të termave të jetëgjatësisë, pasi ndryshimi i afatit të koncesionit çon në ndryshimin e treguesve si rritja e nivelit të të ardhurave, të shpenzimeve dhe detyrimit ndaj Bashkisë Vlorë”-thotë prokuroria e Vlorës në dosjen e hetimit. Si pasojë e ndërmarrjes së këtyre veprimeve që janë në kundërshtim me ligjin dhe që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës nga ana e të pandehurit Shpëtim Gjika, rezulton se është favorizuar subjekti “Tis-Park” sh.p.k, duke i sjellë përfitime të padrejta, si dhe janë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit. Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se të pandehurit Ardian Musta, Ilir Banushi, Arben Beqiraj, Taulla Zanaj, Gentian Sherifaj, Merita Mema dhe Petro Thanasko është përpiluar dokumenti “Sistemi i menaxhimit të parkimit në rrugët e qytetit”, i cili është miratuar nga Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Vlorë. Rezulton se studimi është realizuar mbi bazën e numrit të automjeteve 4+1 dhe 8+1, që janë të regjistruara në qytetin e Vlorës pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Vlorë, si dhe mbi bazën e numrit të popullsisë së Bashkisë Vlorë.Studimi është paraqitur në dy variante, e konkretisht sikur vend parkimet të shfrytëzoheshin 100 për qind e tyre dhe gjatë gjithë kohës së përcaktuar për çdo rrugë, duke realizuar një të ardhur prej 230.572.800 Lekë.