Ekskluzive/ Gjyqtarët e emëruar nga KLD që po bllokojnë Apelin në Tiranë

28 Mars 2019, 14:18

Pas bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Shqipëria, brenda disa muajsh, rrezikon të mbetet edhe pa gjykatat e apelit, duke pasjellë pamundësinë e verifikimit të vendimeve të gjykatave të shkallës së parë dhe ekzekutimit të këtyre vendimeve. Shtyrja drejt bllokimit të gjykatave të Apelit, sidomos të Tiranës, është produkt i veprimtarisë abuzive të Këshillit të Lartë i Drejtësisë, në bashkëpunim me ish-presidentët e Republikës, të cilët kanë emëruar në Gjykatat e Apelit gjyqtarë të kompromentuar në një shkallë të tillë saqë po ngecin në rrjetën e trefishtë të Vetingut. Gjyqtarët janë emëruar nga presidentët përkatës, me propozim të KLD. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sot i zëvendësuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor, ishte një ndër organet e drejtësisë që po shembet, më të kritikuara nga raportet ndërkombëtare, për qoka me emërimin e gjyqtarëve si dhe për mosndëshkimin e gjyqtarëve abuzivë. Që nga viti 2007 deri para pak muajsh, kur janë emëruar shumica e gjyqtarëve të Apelit në Tiranë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë në influencën e Partisë Demokratike dhe të dy presidentëve të zgjedhur prej saj, konkretisht të Bamir Topit dhe më pas të Bujar Nishanit.