Ekskluzive/ Gjyqtarja që ndihmoi gruan e Gjin Gjonit për dyqanet në Rinas mori 35 mijë euro dhuratë, makinat e shtrenjta dhe shtëpitë

27 Janar 2020, 18:40

Mimoza Brahimi (Kajo) është gjyqtarja e Tiranës, e cila me një vendim të dyshimtë dhe të shumëdiskutuar, pranoi kërkesën e gruas së gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, për të kontrolluar dhe shfrytëzuar ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, me anë të kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution. Gjyqtarja Brahimi e pranoi kërkesën e Elona Çaushi, ndonëse kompania e saj kishte humbur tenderin për menaxhimin e dyqaneve pa taksa si dhe i mbaronte kontrata me koncesionarin Tirana International Aeroport në 27 gusht 2019. Tenderin e kishte fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free, duke lidhur një kontratë me TIA-n që në korrik të 2019. Vendimi i Mimoza Brahimit (Kajo)  ka mundësuar që familja Gjoni të mbajë edhe sot nën kontroll dyqanet, duke mos lejuar TIA dhe kompaninë amerikane të zbatojë kontratën. 

Në dhjetor të 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përzgjodhi me anë të shortit 120 gjyqtarë dhe prokurorë, për t’ju nënshtruar procesit të Vetingut. Në këtë listë bën pjesë edhe gjyqtarja Mimoza Brahimi (Kajo), për të cilën kanë nisur verifikimet për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Shqiptarja.com ka siguruar të gjitha deklaratat e pasurisë së gjyqtares Mimoza Brahimi (Kajo) nga viti 2003 deri në vitin 2018, deklarata të cilat janë objekt verifikimi. Të ardhurat e saj përbëhen nga paga e saj si gjyqtare, paga e bashkëshortit si mjek, vizitat private të bashkëshortit dhe së fundmi nga paga e vajzës së tyre. Përpos të tjerave, në vitin 2013, gjyqtarja Mimoza Brahimi (Kajo) deklaron se ka marrë dhuratë nga babai i saj 4 000 000 lekë ose 36 mijë euro. Një vit para kësaj dhurate, pra në vitin 2012, gjyqtarja deklaron blerjen e një makine rreth 42 mijë e 700 euro me kredi si dhe blerjen e një apartamenti 50 mijë euro.