Ekskluzive/ Haklajt përballen për herë të parë në Gjykatë me Sali Berishën, dokumenti

17 Tetor 2018, 13:50

Shtohen llogaritë e Sali Berishës me drejtësinë. Zylfije Haklaj kërkon dënimin e Sali Berishës për shpifje, duke e ftuar të provojë para Gjykatës së Tiranës akuzën e tij, sipas të cilës, gazetari Artan Hoxha ka qenë pjesë e bandës së Haklajve. Zylfije Haklaj, motra e Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Haklajt të vrarë në Tropojë, ka vendosur të padisë penalisht Sali Berishën pas akuzave të tij në një emision televiziv, në adresë të Haklajve dhe gazetarit, Artan Hoxha, aktualisht gazetar në Report Tv.

"Shqiptarja.com" zbardh padinë e Zylfije Haklajt, e cila i kërkon gjykatës dënimin e ish-kryeministrit për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 120 të Kodit Penal, me pretendimin se ka cenuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin e familjes së Haklajve, duke e quajtur atë ‘bandë’, ndërsa Artan Hoxhën anëtar dhe zëdhënës të saj. “Në 26 shkurt të vitit 2018, në emisionin televiziv të Eni Vasilit, ‘Studio e Hapur’, gjatë intervistës së gazetarit Artan Hoxha, ka ndërhyrë me telefon deputeti Sali Berisha, i cili e ka quajtur gënjeshtar dhe vrasës gazetarin Hoxha, dhe ndër të tjera ka deklaruar: “Ke qenë anëtar i Haklajve... Ti je një bashkëpunëtor i Haklajve. Ti je një bandit i paguar nga bandat. Vetëm, gazetar nuk mund të marr unë ty, ke qenë në bandën e Haklajve, që të strehonin dhe ushqenin ty. Je zëdhënës i bandave...”.