124 çështje presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk merr vendime që në shkurt të vitit 2018, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. ‘Kosës’ së trefishtë të Vetingut i ‘mbijetoi’ vetëm anëtarja Vitore Tusha, të cilës gjithsesi i ka mbaruar mandatin, ndërsa anëtarët e tjerë u shkarkuan për pasuri të paligjshme ose u vetëlarguan, duke evituar Vetingun. Që nga fundi i vitit 2017 deri ditët e sotme numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga gjykata më e rëndësishme në Shqipëri ka shkuar në 124, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Shqiptarja.com se 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë.
Mes vendimeve dhe ligjeve që kundërshtohen janë edhe VKM-ja nr. 89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë” si dhe neni 6, pika 1, shkronja “b” dhe nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b” të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.Ndërkaq, 83 kërkesa janë kundër gjykatave për proces të parregullt, nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Komisionit të Pavarur të Apelimit. Një kërkesë është paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës, 7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm), 1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve dhe 1 kërkesë për interpretim vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Nga 124 çështje në total, 8 çështje janë të mbartura nga viti 2017 dhe 68 çështje janë të mbartura nga viti 2018. Ndërkaq, në Gjykatën Kushtetuese, sipas gjasave, priret të zhvendoset edhe çështje më e nxehtë e politikës shqiptare, ajo e Presidentit Ilir Meta. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të finalizojë shkarkimin e Presidentit Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak te tre dekreteve për zgjedhjet lokale, vendimi do të shkojë për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë përcaktues për vendimin e Kuvendit për shkarkimin ose jo të Metës, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e fundit për kreun e shtetit.