EKSKLUZIVE/ Ja arsyetimi i Gjykatës për të dënuar Tahirin vetëm për shpërdorim detyre

20 Shtator, 20:16 | Përditesimi i fundit: 2019-09-20 22:38:40

TIRANË - Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht, arsyetimin e vendimit që Gjykata për Krime të Rënda dha një ditë më parë ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Një vendim që vuri në praktikë një procedurë jo shumë të praktikuar nga gjykatat shqiptare: Rrëzimin e dy akuzave të ngritura nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale. Nga dy akuzat për "trafik të lëndëve narkotike, i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal" dhe "grup i strukturuar kriminal", në atë të "shpërdorimit të detyrës".

Një vendim i cili, nga 12 vite që Prokuroria kërkoi dënim, u kthyen nga Gjykata në 3 vite shërbim prove, që në të njëjtën periudhë të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Por ku e bazoi gjykata për Krime të Rënda, veprën penale të shpërdorimit të detyrës?!

Teksa rrëzoi akuzat për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, gjyqtari shfaqi argumentet që e bëjnë fajtorë Tahirin për shpërdorim detyre.

Gjykata vlerëson se trafikantët kishin lidhje me policinë duke depërtuar deri në nivele drejtuese, dhe se Tahiri si ministër i Brendshëm nuk e ka luftuar në mënyrën e duhur trafikun e drogës. Po ashtu, arsyeton gjykata - Mojsi Habilaj ka përfituar nga lidhja farefisnore me Tahirin për të trafikuar në Itali. Ai Mojsi Habilaj ka trafikuar në vazhdimësi kanabis nga Shqipëria në Itali në vitet 2013-2015 (kohë kur Tahiri ishte ministër), duke u infiltruar në strukturat drejtuese të policisë së Vlorës.  

Në vlerësimin e gjykatës, mbajtja e lidhjeve të Tahirit me Mojsi Habiljan "kanë krijuar premisa të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të Policisë të Shtetit me pasojë të drejtpërdrejta, vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimin dhe luftimit të këtyre veprimtarive kriminal,e shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish të policisë, shoqëruar me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të trafikut të narkotikëve nga i pandehurit Mojsi Habilaj ejt, në vlerësimin e kësaj gjykate, janë indicie të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, që vërtetojnë tej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri ka konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës", - thotë gjyqtari në arsyetimin e vendimit.

Pra, vendimi i dënimit për shpërdorim detyre, bazohet në indicie që përputhen me njëra-tjetrën!

Rrëzimi i akuzave të Prokurorisë për trafik droge dhe grup kriminal

Sipas Gjykatës, pavarësisht provave të administruara nuk vërtetohet që Saimir Tahiri të jetë pjesëmarrës dhe anëtar i grupit kriminal të Mojsi Habilajt, të pandehur në Itali për trafik të drogës nga Shqipëria drejt shtetit fqinj. "Nuk ka prova" - thotë gjykata - "që të vërtetojnë se dhuratat dhe shumat e parave që Mojsi Habilaj pretendon në përgjimet ambientale - t'ia ketë dhënë Tahirit dhe familjarëve të tij, çka u faktua - thotë gjykata - edhe nga kontrolli që prokuroria bëri në shtëpinë e ish-ministrit dhe nuk gjeti asnjë send të dyshimtë.

Po ashtu, lexon relatori i çështjes, Ardit Mustafaj, "nuk provohet marrëveshja mes Saimir Tahirit dhe të paktën njërit prej të pandehurve, Mojsi Habilaj etj për të kryer vepra penale të trafikimit të narkotikëve".

Vendimi: E deklaroj të pafajshëm!

Gjykata për krime të rënda e dënoi Tahirin për shpërdorim detyre me 5 vite burg, që nisur nga gjykimi i shkurtuar ulet me 1/3 dhe kthehet në 3.4 vite. Edhe këtë dënim, gjykata e konvertoi në 3 vite shërbim prove me kushtin për të mos kryer vepër tjetër penale, dhe të mos ushtrojë në këtë periudhë funksione publike.

"Për këtë të pandehur, Gjykata ne vendimin përfundimtar ndryshon cilësimin ligjor të veprës penale nga trafik të lëndëve narkotike i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në atë të shpërdorimit të detyrës. Megjithëse vepra penale e grupit të strukturuar kriminal, është vepër penale më vetë për të cilën akuzohet i pandehuri Saimir Tahiri, gjykata vlerëson se nuk provohet që i pandehuri e ka kryer këtë vetë penale, prandaj bazuar në 338 pika 1/ gërma d e Kodit të Procedurës Penale dua ta deklaroj të pafajshëm", thuhet në vendimin e gjykatë.

Por teksa ish-ministri u denua me sherbim prove, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u dënua nga gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vite burg, që ulet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi per Tahirin

Gjykata përfundimisht në bazë të neneve 112/119 për veprën penale të shpërdorimit të detyrës të parashikuar nga neni 248 i Kodit penal dhe dënimin e tij me 5 vjet burgim

Deklarimi i pafajshëm të të pandehurit Saimir Tahiri për veprat penale të grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga 333 a paragrafi i dytë i Kodit Penal pasi nuk vërtetohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale që akuzohet bazuar në nenin 338 pika 1 gërma d të Kodit Penal.

Në bazë të nenit 406 paragrafi i parë i Kodit të Procedurës Penale të pandehurit Saimir Tahiri për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit me burgim dhe dënohet përfundimisht me 3,4 vite burg. 

Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal urdhërohet pezullimi i vuajtjes së dënimit me burgim për të pandehurin dhe vënien e tij në provë për një afat 3 vjet me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale duke urdhëruar që i pandehuri të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Heqja e së drejtës të të pandehurit Saimir Tahiri për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 3 vjet bazuar në nenin 35 paragrafi 2 i Kodit Penal"

Kategori të tjera