Shqiptarja.com dhe Report Tv sigurojnë foto dhe dokumente ekskluzive që kanë lidhje me vrasjen në fshatin Rabije të Tepelenës, ku babë e bir Hetem Muho 59-vjeç dhe djali i tij 20 vjeçar Dino Muho qëndrojnë pas hekurave për vrasjen e 43-vjeçarit, Alket Muho të njohur edhe si ‘informator’ të policisë. Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e 6 shtatorit, ndonëse rasti u bë publik vetëm gjatë pasdites së asaj dite.
Fotot dhe dokumentet e siguruara tregojnë se babë e bir kanë qenë të paktën dy herë të sulmuar nga Alket Muho, por në të dyja rastet babai dhe i biri kanë kërkuar ndimën e policisë. Pra, Alket Muho ka vepruar gjithmonë si i ' fortë' dhe jo e kundërta.
Në foton e siguruar nga Shqiptarja.com dhe Report TV duket 20-vjeçari Dino Muho, i sulmuar në datë 20 dhjetor 2015-të me sëpatë nga Alket Muho.Për rastin e tij, i ati Hetemi ka bërë një kallëzim në polici. Nga ekspertiza e policisë shkencore rezulton se plagët e shkaktuara mund të kishin qenë fatale për të riun, por çështja është mbyllur me kaq dhe ‘informatori’ është lënë i lirë. Në këtë rast Hetemi që kishte konflikt me Alketin nuk zgjodhi të bëjë vetëgjyqësi.Rasti i konfliktit të atëhershëm lidhet sipas Prokurorisë me shkakun e vrasjes së ndodhur javën e kaluar. Siç ka treguar atëherë Hetem Muho, konflikti me Alket Muhon kishte nisur që nga korriku i vitit 2014-të. Alketi jo vetëm i kishte prerë disa pemë brenda tokës në pronësi të Hetemit, por edhe e kishte përdorur atë si terren për të kullosur bagëtitë Disa ditë pas sulmit me sëpatë mbi Dinon, pra në data 3 janar 2016 Hetem Muho i është drejtuar policisë së Tepelenës edhe në një rast tjetër ku e akuzonte Alket Muhon se i kishte qëlluar me armë, bashkë me disa familjarë të tjerë.
