Ekskluzive/ Ja si Berisha dhe Nishani këmbëngulën për të emëruar gjyqtarin e dënuar Thanza

11 Korrik 2018, 10:43

Ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bujar Nishani dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli kanë një rol vendimtar në emërimin e Admir Thanzës si anëtar i Gjykatës së Lartë, sot në prag të shkarkimit për shkak të lidhjeve me krimin, vjedhjes dhe dënimit në Itali, fshehjes, deklarimit të rremë dhe mosjustifikimit të pasurisë.

Në pranverën e vitit 2013, pak para se të largohej nga pushteti, Sali Berisha nxitoi për të blinduar Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese me njerëzit e tij, me qëllim që t’i shërbenin pas daljes në opozitë. Admir Thanza ishte një nga këto emërime. Thanza u propozua nga presidenti i atëhershëm, Bujar Nishani, si kandidat për anëtar në Gjykatën e Lartë.

“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoj Z. Admir Thanza, emërohet  anëtar i Gjykatës së Lartë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. Dekretit 8115, Tiranë, më 19.04. 2013. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani”, thuhet në dekretin e presidentit. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Berisha u kujdes që të gjitha votat e grupit parlamentar demokrat të shkonin për Thanzën.

Meqenëse Lëvizja Socialiste për Integrim kishte braktisur koalicionin qeverisës, Berisha kishte vetëm 69 vota, të pamjaftueshme për të votuar dekretin e Nishanit, nëse edhe deputetët e partive kundërshtare do të ishin në seancë. Në këto kushte, ish-kryeministri Berisha siguroi votat e tre deputetëve të majtë. Duke iu referuar procesverbalit të votimit të zbardhur nga Shqiptarja.com, pro dekretit të Nishanit kanë votuar edhe ish-deputetët e PS, Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani.

Gjithashtu pro dekretit votuan të gjithë deputetët e atëhershëm të Partisë Demokratike. “Zonja Kryetare, në votimin për z. Admir Thanza kanë marrë pjesë 72 deputetë, 72 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Kuvendi jep pëlqimin për këtë kandidaturë”, tha Viktor Gumi nga sekretariati i votimit, i cili megjithatë u përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputetë.