Pamjet ekskluzive, Klement Balili përshëndetet me të afërmit dhe i dorëzohet policisë

15 Janar 2019, 13:58 | Përditesimi i fundit: 2019-01-15 18:31:17

Zyrtarisht i shumëkërkuari Klement Balili është në prangat e Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përmes një deklarate për mediat njoftoi se ‘Escobari i Ballkanit’ i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është dorëzuar. ‘Peshku i madh’ apo ‘Magjistari’ sikur është cilësuar nga ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu vendosi që pas dy vitesh në arrati të përballet me drejtësinë.

Ai është dorëzuar në afërsi të Finiqit rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm pas negociatave të nipit të tij Rigels Balili me policinë. Klement Balili ka vendosur tre kushte për dorëzimin; mos ekstradimin në Greqi, proces të drejtë dhe kushte të mira në qeli. Report Tv siguron pamjet ekskluzive nga Operatori i Report Tv Mirsal Hajdarmataj, të momentit kur Balili dorëzohet në polici mëngjesin e sotëm. Në pamjet e siguruara nga Report Tv duket baroni i drogës duke u përqafuar dhe përshëndetur me familjarët dhe të afërmit e tij.