Ekskluzive/ Lista e papublikuar e OFL: Nga Hoxhallari te vëllezërit Jahelezi të club 'Amsterdamit'

19 Shkurt 2020, 22:03

TIRANË - Zbulohen emra të tjerë që janë në listën e Operacionit “Forca e Ligjit” dhe që ende nuk janë bërë publikë nga Policia e Shtetit. Megjithëse tashmë verifikimet pasurore për ta kanë nisur dhe policia i ka kërkuar të justifikojnë pronat që ata disponojnë, asnjëherë policia nuk ka folur publikisht për këto emra se kush janë, bacgraundin kriminal që ata mbartin dhe çfarë përfaqësojnë.

Burime policore thanë për “Shqiptarja.com” se njëri prej këtyre personazheve që ka marrë kërkesën për të justifikuar pasurinë është Aurel ose Altin Hoxhallari. Ky i fundit është person i shpallur në kërkim për vrasjen e Devi Kasmit. Hoxhallari, po gjykohet në mungesë në prokurorinë e Posaçme SPAK, për akuzën e “Vrasjes me paramendim", kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, "Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit". Aurel Hoxhallari, besohet se është njëri nga individët, që ka kontraktuar vrasësin grek me pagesë, Efthymious Efthymiou, për të ekzekutuar Devi Kasmin. Vrasja ka motiv prishjen e pazareve të drogës. Altin Hoxhallari, dyshohet si i përfshirë në trafikun e heroinës dhe kokainës.

Ndërkohë në listën e policisë janë dhe dy personazhe nga zona e Laçit, më konkretisht Gëzim Çela ose i njohur ndryshe si “Baroni i drogës”, i dënuar në 2018 për trafik heroine me 10 vite burg. Në këtë vendim Çela është dënuar së bashku me Arif Çela, Viktor Lekgegaj, Fran Merdhoci dhe Alfred Mikeli. Çela vijon të jetë në kërkim, ndërkohë besohet se fshihet në zonën e Laçit.

 Emri i tjetër që tashmë është bërë subjekt i verifikimit të pasurisë nga OFL është Astrit Bushi, ku mësohet se është dënuar në Itali dhe Spanjë për pengmarrje dhe grabitje me armë.

Një tjetër emër që ndodhet në listë është ai i Arjan Shanaj, biznesmenit nga Fieri i arrestuar dhe dënuar në Greqi për trafik kokaine.

Po kështu lista e gjatë e OFL-së shtrihet dhe tek një emër tjetër nga Fieri, siç është Arben Gropa ose Vangjel Zijaj, pronar i resortit “Pelikani” në Fier, i dënuar në Itali me 32 vite burgim për trafik droge.

Larg syrit dhe listës së OFL-së nuk ka shpëtuar dhe një personazh tjetër dhe i lidhur ngushtë me politikën siç është, Fatmir Kajolli, i dënuar në Itali me 22 vite burgim, për trafik droge. Megjithëse Kajolli, ka arritur të rrëzojë ekstradimin e tij në Itali dhe të çlirojë me vendim gjykate pasuritë e tij të  sekuestruara, sërish ato tashmë janë vënë në lupën e oficerëve të OFL-së.

Po kështu në listën shumë emërore janë dhe disa personazhe të tjerë të familjes Jahelezi, të cilët janë të përfshirë në trafikun e heroinës ndërsa disa prej tyre janë pjesë e skemës së pastrimit të parave. Mes emrave që “Shqiptarja.com” ka mundur të sigurojë janë 6 persona, vëllezër me njëri-tjetrin si Enio Jahelezi, pronar i “Cavalli” Clab, “Amsterdam” Clab, hotel “Deluxe” etj. Orges Jahelezi i hetuar për heroinën e kapur në Has, Gramoz Jahelezi, i hetuar për dy atentate në dëm të viktimës Flamur Toska, Elvis ose Franc Jahelezi, vëllai i tij Xhevdet Jahelezi, dhe vëllai tjetër Luan Jahelezi.

    No videos found.