EKSKLUZIVE/ Njerku dhunon djalin 3-vjeçar, i vogli në gjendje të rëndë: Më rrahu mami dhe babi! 35-vjeçari: Isha në tualet, ra nga divani!

27 Prill 2020, 13:23 | Përditesimi i fundit: 2020-04-27 15:44:14

TIRANË - Një histori makabre është ajo që ka ndodhur në Kamëz më 24 prill, ku një 35-vjeçar akuzohet të ketë keqtrajtuar duke bërë të përfundojë në spital me fraktura të rënda, djalin 3-vjeçar të bashkëjetueses me të cilën ishte njohur prej 1 viti. Alfred Kazanxhi këtë të hënë u la në masë arresti me burg nga Gjykata e Tiranës, dhe rrezikon nga 10 deri në 20 vjet nëse akuzat ndaj tij do të faktohen. Report Televizion disponon ekskluzivisht dëshmitë dhënë nga Kazanxhi dhe nëna e djalit 3-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në spitalin pediatrik në QSUT në gjendje të rëndë me politraumë, hemotoraks bilateral dhe frakturë të brinjëve.

Vogëlushi është dërguar më 24 prill ora 12.00 në Spitalin e Traumës nga nëna dhe bashkëjetuesi i sja, ndërsa sipas mjekëve gjendja ishte shumë e rëndë me shenja dhune dhe fraktura në gjithë trupin. Më tej e kanë dërguar për trajtim të specializuar tek pediatria në QSUT, ku ndodhet i shtruar. Sipas mjekëve, fëmija është me aparate të vendosura për monitorimin e oksigjenit dhe frekuencës kardiake

Nga dëshmia e mjekes që është kujdesur e para për të voglin, 3-vjeçari i është shprehur: Më rrahu mami dhe babi. “Ankohej për dhimbje, kërkonte mamanë e tij dhe qante vazhdimisht”, është shprehur mjekja.

Ngjarja ndodhi më 24 prill. Gruaja, A.Hoxha ndodhej tek fqinjët, ku prej disa muajsh punonte në familjen e tyre për pastrim dhe për t’u kujdesur për vajzën e tyre invalidë. Prej dy muajsh, A.Hoxha dhe bashkëjetuesi Alfred Kazanxhi jetonin me qira në një apartament në lagjen “Bulevardi Blu” në Kamëz, ndërsa më herët kishin jetuar në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

Ajo ka qenë duke punuar në familjen e fqinjëve kur bashkëjetuesi e ka marrë në telefon duke i thënë të shkojë në shtëpi pasi djali është pa ndjenja.