Jo vetëm ‘fabrikë’ shtetësish, por edhe dekoratash. Një dekoratë në dy ditë. Ky është bilanci i pazakontë i Presidentit Ilir Meta në dhënien e dekoratave dhe titujve për akte të veçanta, merita apo trimëri ndaj kombit shqiptar. Nga data 12 prill 2018 deri në 24 prill 2021, ku nderoi Mehdi Bushatin, Presidenti Ilir Meta ka dhënë 490 dekorata dhe tituj me dekrete të posaçme, kryesisht personazheve, disa nga të cilët janë militantë të PD-LSI, por edhe kandidatë për deputetë të LSI-së. Meta ka dekoruar edhe institucione, klube futbolli, radio, shoqata të ndryshme, ekipe të zjarrfikësve, korporata, ekipeve të shpëtimit në miniera etj.
Dyshimet për një ‘inflacion’ dhe politizim me dekoratat apo për shpërndaje titujsh në formë qokash pa kriter nga Presidenti Ilir Meta, thellohen nëse krahasojmë numrin e dekoratave të Metës me ato të paraardhësve të tij. Nga verifikimet rezulton se, Presidenti Bujar Nishani, nga data 2 dhjetor 2013 deri në 12 qershor 2017, ka dhënë vetëm 170 dekorata. Presidenti Nishani është kritikuar për një numër të lartë dekoratash të dyshimta dhe politike, por Ilir Meta ka thyer çdo rekord dhe tejkaluar çdo parashikim.
Ndërkaq, Meta ka nderuar edhe kandidatë pwr deputetë tw LSI dhe PD, fakt qw komprometon rëndë pozitat e Presidentit. Në shtator të vitit 2019, Meta dekoroi me titullin “Meshtër i Madh” doktorin Petrit Bara, i cili kandidon për deputet në listën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Tiranë, në zgjedhjeve e 25 prillit 2021. Meta ka deklaruar me titullin ‘Për merita të veçanta civile’, Arben Tafajn, pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në Tiranë.
Me të dekoruarve nga Meta me titullin “Mjeshtër i madh” është edhe Dritan Demiraj, ish-ministri teknik i Partisë Demokratike. Meta ka dekoruar edhe Neritan Cekën dhe Rexhep Meidanin, pas qëndrimeve të ashpra kundër qeverisë. Meta ka dekoruar gjithashtu Shaban Mziun, i cili ka bërë këngë për Rrahman Mziun, emër i cili përkon me babanë e Xhelal Mziut, që kryeson listën e PD-së në Dibër.
Mes personazheve të kontestuar që ka dekretuar Meta është edhe Mehdi Bushati, i cili është edhe babai i analistit Andi Bushati. Dekorimi i Bushatit me Dekoratën e Lartë “Kalorës i Flamurit” ka ngjallur shumë reagime ditët e fundit nga ish të përndjekurit politikë, që e cilësojnë Bushatin, si një prej hetuesve me të dhunshëm të regjimit komunist.