Ekskluzive/ Policia kusht bankave e kompanive të transportit të parave: Asnjë thes drejt Rinasit pa GPS

26 Prill 2019, 14:58

Asnjë thes me para nga bankat e nivelit të dytë nuk do të transportohet më pa pasur të vendosur sistemin gjurmimit dhe lokalizimit njohur si GPS.

ReportTv zbardh ekskluzivisht rregullat që policia e shtetit u ka kërkuar kompanive private të transportit të vlerave monetare në një mbledhje urgjente të mbajtur më 15 prill 2019, pak ditë pas grabitjes së fundit me 5.7 milion euro në pistën e Rinasit. Siç shihni dokumentin e siguruar nga Report Tv në pikën 3 thuhet “bankave t'u kërkohet të përmbushin detyrimin ligjorë për vendosjen e GPS tek thasët e transportit të vlerave monetare”.

Policia rezulton se është e shqetësuar edhe për stafin e rekrutuar nga kompanitë private njohur si shoqëritë private të ruajtjes dhe sigurisë . “Kemi informacione se në grupet e shoqërimit ka punonjës të pacertifikuar, nga sot e tutje thuhet në kërkesat e numrit dy të policisë asnjë punonjës i pa trajnuar e certifikuar më parë të mos bëhet pjesë e grupit”. Këto rregulla kanë qenë në fuqi prej 5 marsit 2018, por edhe në rastin e fundit rezultoi se GPS s'ishte i vendosur tek thasët duke bërë që gjurmimi i grabitësve të dyshuar të ishte i vështirë.

Për këtë mosrespektim të rregullave në fuqi askush s'është penalizuar deri më tani qoftë nga bankat, kompanitë e transportit apo personat përgjegjës ndërsa në pranga kanë rënë 5 të dyshuar të rinj nga Elbasani, Fushë- Kruja e Kruja të njohur si pjesë grupit Kupa-Murataj. Më tej në pikën 7 të rregullave të cilat duhen respektuar policia u kërkon kompanive që të njoftojnë për çdo transport parash, të kenë minimum 3 mjete të blinduara që shoqërojnë paratë dhe sapo të përfundojnë transportin të gjitha mjetet të rikthehen sërish duke njoftuar në sallën operative të policisë.