Ekskluzive, Raporti i DAP, 12% e punonjësve të administratës ngelin në testim

7 Prill 2018, 11:58

Rreth 12 për qind e punonjësve të administratës publike nuk e kalojnë testin për përfitimin dhe përditësim e njohurive. Gjatë vitit 2017, janë testuar 905 punonjës, kryesisht të inspektorateve shtetërore, ku 106 nëpunës u vlerësuan “Jokënaqshëm”.

Të dhënat pasqyrohen në raportin vjetor të Departamentit të Administratës Publike, për vitin 2017, raport i cili do të shqyrtohet dhe miratohet në ditët në vijim nga Parlamenti. Sipas raportit të siguruar nga Shqiptarja.com, nga 905 të testuar, vetë, 19 nëpunës u vlerësuan “Shumë mirë”. Sipas këtij trendi, 12 për qind e rreth 80 mijë punonjësve të administratës, nuk e kalojnë testin për njohuritë rreth detyrës së tyre.

“Në përfundim të kësaj procedure rezultoi se nga 905 nëpunës civilë të vlerësuar: 106 nëpunës u vlerësuan “Jokënaqshëm”. Këta nëpunës janë të detyruar t’i nënshtrohen një procedure trajnimi pranë ASPA-s dhe një testimi në përfundim të trajnimit, si dhe një periudhe vlerësimi tremujore; 387 nëpunës u vlerësuan “Kënaqshëm”. Këta nëpunës janë të detyruar t’i nënshtrohen një trajnimi brenda një viti pranë ASPA-s, për plotësimin e njohurive ku ata kanë paraqitur dobësi gjatë procedurës së vlerësimit; 393 nëpunës u vlerësuan “Mirë”; 19 nëpunës u vlerësuan “Shumë mirë””, thuhet në raport.