Ekskluzive/ Raporti i KE: Shqiptarët 32% më pak kërkesa për azil, 27% më pak shkelje kufiri

20 Prill 2019, 10:26

Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian në vitin e kaluar ka rënë ndjeshëm. Këtë fakt e bën të ditur raporti vitit 2018 i Komisionit Europian për Parlamentin Evropian dhe Këshillin Evropian lidhur me mekanizmin e pezullimit të vizave. Raporti është publikuar nga Komisioni Europian më 19 dhjetor të vitit 2018.

Në këtë raport nëpërmjet shifrave del se shtetasit shqiptarë në vitin 2018 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 32% më pak se një vit më parë. “Sa u përket kërkesave për azil, këto u ulën me 32% në gjysmën e parë të vitit 2018 krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017 (nga 12,635 në 8,525)”, thuhet në raport.

Po kështu kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në vendet e BE 27% më pak. Gjithashtu shteti shqiptar ka respektuar 100% ripranimin dhe kthimin e shtetasve shqiptarë nga vendet e BE-së. Problematike mbetet ende qendrimi ilegal I shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së, pasi është rritur me 11% në krahasim me një vit më parë.

Për sa I përket problemeve të rendit dhe sigurisë publike nga shtetasit shqiptarë në BE, raporti pasi shpreh shqetësimin për veprimtarinë të disa grupeve të përbërë nga shqiptarë thekson se: “Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të përmirësuar efektivitetin e përpjekjeve të saj të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar”, duke përmendur më pas edhe një sërë marrëveshjes që ka nënshkruar në vitin 2018 shteti shqiptar me organizatat ligjzbatuese të BE për të luftuar krimin.

Para pak ditësh parlamenti i Holandës votoi për rivendosjen e vizave ndaj shtetasve shqiptarë. Pas këtij votimi Holanda i kërkon zyrtarisht Komisionit Evropian që të rikthejë regjimin e vizave për Shqipërinë. Vendimi merret nga Komisioni Evropian, por mesa duket nga raporti I fundit që ky komision ka bërë për mekanizmin e pezullimit të vizave, shtetasit shqiptarë në krahasim me vitet e kaluara nuk kanë shtuar problematikat e shkeljeve të kufirit apo të kërkesave për azil, por përkundrazi këto kanë ardhur në ulje. 

Shqipëria / Migracioni i parregullt, duke përfshirë ripranimin

Përsa u përket sfidave të migracionit të parregullt, midis 2016 dhe 2017, numri i përgjithshëm i refuzimeve të hyrjes është rritur 13% (nga 30.305 në 34.310). Numri i qëndrimeve të paligjshme është rritur gjithashtu me rreth 11% (nga 33,445 qëndrime të paligjshme në vitin 2016 në 37,325 në vitin 2017). Sipas të dhënave të Agjencisë së Ruajtjes së Kufirit dhe Vijës Bregdetare, tendencat për sfidat e migracionit të parregullta, ndërmjet gjysmës së parë të 2017 dhe gjysmës së parë të 2018, tregojnë një rënie në numrin e refuzimeve të hyrjes dhe qëndrimeve të paligjshme. Sa u përket kërkesave për azil, këto u ulën me 32% në gjysmën e parë të vitit 2018 krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017 (nga 12,635 në 8,525). Norma e pranimit të azilit më 2017 është 5.19% (në rritje krahasuar me 2016 kur ishte 2.12%) Ripranimi dhe kthimi po funksionon mirë, Shqipëria respekton me shpejtësi kërkesat e ripranimit nga Shtetet Anëtare si për shtetasit e vet dhe të shteteve të treta. Norma e kthimit (mbi 100% në vitin 2017), tregon se shtetasit shqiptarë të urdhëruar të largohen kthehen në mënyrë efektive (29,850 në vitin 2017). Ky rezultat i mirë duhet të ruhet. Shqipëria ka ndërmarrë veprime të identifikuara në Raportin e Parë nën Mekanizmin e Pezullimit të Vizave për të adresuar sfidat e migracionit të parregullt, veçanërisht për kërkesat e pabazuara të azilit të paraqitura nga shtetasit shqiptarë.

Shqipëria ka arritur rezultate të mira në zbatimin e planit të veprimit kundër migracionit të parregullt, i cili fokusohet në bashkëpunimin operacional në menaxhimin e migracionit të parregullt, identifikimin dhe mbrojtjen e të miturve të pashoqëruar dhe luftën kundër falsifikimit të dokumenteve. Gjithashtu, ajo vazhdoi të rriste bashkëpunimin operacional me shtetet anëtare më të prekur nga migracioni i parregullt. Me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për të drejtat dhe detyrimet e regjimit pa viza, autoritetet shqiptare kanë bërë fushata ndërgjegjësimi të cilat u transmetuan në të gjitha stacionet televizive kombëtare.

Rendi dhe siguria publike

Grupet e krimit të organizuar që flasin shqip janë zakonisht poli-kriminale dhe vazhdojnë të jenë veçanërisht aktive në një gamë të gjerë veprimtarish kriminale në BE. Këto grupe të krimit të organizuar trafikojnë heroinë në sasi të mëdha duke bashkëpunuar me grupet e krimit të organizuar turk dhe shqiptar përgjatë rrugëve të trafikimit. Disa vende kyçe në Shqipëri kanë qenë një burim radikalizimi dhe rekrutimi, por ka pasur një rënie në nisjen e luftëtarëve të huaj terroristë të rekrutuar në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të përmirësuar efektivitetin e përpjekjeve të saj të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar, siç është përshkruar në veprimet që duhen ndërmarrë në Raportin e Parë lidhur me Mekanizmin e Pezullimit të Vizave.

Plani i veprimit kundër kanabisit u miratua në fund të majit 2018. Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga u inicua më 5 tetor 2018. Kjo marrëveshje do t’u mundësojë një ekspertizë vendimtare autoriteteve shqiptare në luftën kundër drogës. Shqipëria ka një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Evropiane për Trajnimin për Zbatimin e Ligjit dhe merr pjesë në Programin e Drejtësisë të BE-së që nga shkurti i vitit 2018. Më 1 nëntor 2018, Parlamenti Shqiptar ratifikoi Marrëveshjen e Kontaktit me Europol duke lejuar një zyrtar ndërlidhës të Europol-it që të vendoset në Shqipëri në fillim të vitit 2019. Një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Eurojust dhe Shqipërisë u nënshkrua në tetor 2018. Ndërsa një ligj i ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i miratuar në vitin 2017, përforcoi kornizën e përgjithshme lligjore, Shqipëria u vendos nën një hetim më të rreptë nga Moneyval. Në shtator 2018, Qeveria miratoi një Plan Veprimi për të adresuar rekomandimet e Moneyval. Në përgjithësi, standardet për liberalizimin e vizave vazhdojnë të përmbushen. Ndonëse është arritur përparim i mirë në zbatimin e veprimeve për të trajtuar sfidat e migracionit të parregullt, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve. Duhet të adresohen fushat në vijim:

Të forcohen më tej kontrollet kufitare, në respekt të plotë të të drejtave themelore,

Vazhdimi i organizimit të fushatave informuese mbi të drejtat dhe detyrimet e udhëtimit pa viza;

Përmirësimi i mëtejshëm i efektivitetit të përpjekjeve të zbulimit dhe zbatimit të ligjit për luftimin e krimit të organizuar;

Zbatimi me shpejtësi i rekomandimeve të raportit Moneyval mbi financimin e pastrimit të parave / financimin e kundër terrorizmit.

Kalimi i paligjshëm i kufirit

Sa u përket sfidave të migracionit të parregullt, sipas të dhënave të EBCGA, numri i zbulimeve të kalimeve ilegale të kufirit të shtetasve shqiptarë është më i larti ndër vendet e tjera të analizuara në këtë raport. Megjithatë, deri në vitin 2018 deri më tani (gjysma e parë) janë zbuluar 2.905 njerëz në krahasim me 3.984 zbulime në të njëjtën periudhë të vitit 2017 (gjysma e parë), që përbën një rënie prej 27%.