Ekskluzive/ Rrëfimi në gjykatë: Si më ndihmoi Dritan Zagani për aksidentin me vdekje

25 Dhjetor 2018, 13:10

Në dy numra rresht “Shqiptarja.com” ka botuar pjesë nga dokumentat gjyqësore të gjyqit të Dritan Zaganit, ish-oficeri i policisë që u bë i famshëm për denoncimet ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri ka katër vite që është në arrati. Teksa ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndiqej penalisht nga prokuroria, Dritan Zagani gati katër vite më parë vendosi të largohej fshehtas nga Shqipëria, duke kërkuar azil politik në Zvicër, nga ky bëri denoncimet e tij ndaj Saimir Tahirit dhe disa prej drejtuesve të policisë, si të lidhur me grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit.

Ndërsa në numrin e së shtunës o botua biseda e përgjuar midis Dritan Zaganit dhe oficerit italian, i Guardia di Finanza i quajtur Alesandro Xhuliani. Nga kjo bisedë vërtetohet fakti se Zagani i jepte informacione kundrejt pagesës oficerit ialian, duke shkelur procedurat ligjore të shtetit shqiptar, zyrtar i të cilit ai ishte. Ndërsa në numrin e sotshëm botohet dëshmija e gruas së V.D spiunit të Zaganit. Ajo rrëfen se si Dritan Zagani e bëri edhe atë bashkëpunëtore për të përgjuar burrin e mbesës së saj dhe si paguheshin nga ish-oficeri i policisë. Po kështu ajo ka treguar se Zagani e ka ndihmuar shumë në një rast të një aksidenti me pasojë vdekjen e një personi që kreu djali i saj.

*********************

Gruaja e spiunit të Dritan Zaganit, është thirrur nga ky i fundit në bashkëpunim për marrjen e informacioneve, lidhur me një person të quajtur Arben Dalipaj, që ishte dhe burri i mbesës së gruas së spiunit të Zaganit. Në dëshminë e saj dhënë para gjykatës së Fierit shtetasja I.D, ka tregur se është njohur krejt rastësisht me Zaganin, në një nga lokalet e Vlorës. Ndër të tjera kjo grua ka treguar në rrëfimin e saj se Dritan Zagani i ka pohuar se: ”…po bëj një punë që nuk di si ta shpërblej, se V. po më ndihmon se do ngrihem në detyrë…”.

Mandej gruaja e spiunit i ka pohuar se: “…shumë mirë urime…. Në drejtim që ai ishte o.p.gj. Nuk e di si e ndihmoi konkretisht burrin tim…”. Më tej kjo dëshmitare ka treguar dhe momentet e bisedimit në telefon me Dritan Zaganin, pasi në Vlorë ka ndodhur një aksident me makinë, me pasojë vdekjen e një qytetari. Pikërisht në këtë aksident ishte përfshirë djali i dëshmitares, por kjo e fundit kishte shkuar në komisariat dhe aty kishte pretenduar se ishte ajo autorja e këtij aksidenti.