Ekskluzive/ Skandali i Metës me nënshtetësinë, edhe BE ndërhyri për të ndaluar dhënien e pasaportave pa protokolle sigurie

25 Tetor 2020, 11:04

TIRANË - Dhënia e nënshtetësisë shqiptare, në shkelje të ligjit dhe duke anashkaluar protokollet e sigurisë,  me qëllim për të lëvizur pa viza në Evropë, është një temë që ka shqetësuar edhe institucionet e larta të Bashkimit Evropian, të cilat kanë ndërhyrë për të t’i dhënë fund kësaj praktike. Pikërisht alarmi nga BE ka qenë edhe arsyeja e ndryshimi të ligjit për nënshtetësinë të votuar nga Kuvendi para disa muaj që presidenti Ilir Meta e ka rrëzuar. Presidenti është në qendër të një skandali pikërisht sepse duke nisur nga fillimi i mandatit në 2017  ka dhënë 419 nënënshtetësi me procedura të pershpejtuara duke anashkaluar në shume raste protokollet e sigurisë.

Siç zbulon Shqiptarja.com, duke lexuar aktet e Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe Komisionin e Ligjeve, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë shqyrtimit të ligjit të ri për nënshtetësinë, ka paraqitur shqetësimin e Brukselit dhe ka kërkuar që dhënia e shtetësive të veçanta, në emër të interesit kombëtar, të mos i lihej më në dorë Presidentit, por të ngrihej një strukturë e posaçme, për verifikimin e të gjithë personave që kërkojnë të marrin shtetësinë shqiptare, pa plotësuar kushtet ligjore, por si personalitete.Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë së datës 27 korrik 2020, ku u miratua ligji i ri, gjatë diskutimit të nenit për dhënien e shtetësisë shqiptare për raste të veçanta, si përjashtim nga ligji, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme theksuan se ngritja e një strukture verifikuese për këtë raste në varësi të qeverisë, reflektonte një shqetësim të Komisioni Evropian. “...është me vend që reflektohet një lloj shqetësimi nga Komisioni Evropian, që është ngritur edhe në raportimin e fundit që ne kishim në Komitetin për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në kuadër të raportimeve që ne bëjmë në përmbushje të detyrimeve lidhur me plotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të progres-raportit”, ka pohuar Rovena Voda.