EKSKLUZIVE/ Vetingu i dërgoi dosjen e pasurisë, Prokurori i Kacifas-it ‘sëmuret’ dhe largohet nga sistemi i drejtësisë

13 Nëntor 2019, 13:04

Prokurori në Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë, Njazi Seferi, i cili po hetonte vrasjen e Kostandinos Kacifas, ekstremisti grek që u vra në Bularat vitin e kaluar, ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit ditën që Komisioni i Vetingut e ka njohur me rezultatet e hetimit për ligjshmërinë e pasurisë dhe pastërtinë e figurës. Seferi ka justifikuar dorëheqjen me arsye shëndetësore. Në datën 27 shtator 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja Relatore dhe Suela Zhegu, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, Branko Hrvatin, ka njoftuar prokurorin se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit mbi pasurinë e tij dhe pastërtinë e figurës. Për të dhënë versionin e tij, KPK i kishte lënë afat prokurorit deri në datën 8 tetor 2019.

Sipas vendimit të KPK, prokurori, ditën që është njohur me dosjen, ka paraqitur dorëheqjen nga funksioni pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për arsye shëndetësore. “Më datën 30.9.2019, ora 13:01, subjekti pas marrjes së dokumentacionit përbërës të dosjes deklaroi se: (i) u njoh dhe mori të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga ana e tij në CD, dhe/apo në formë shkresore (fotokopje) sipas kërkesës së tij; (ii) nuk ka asnjë vërejtje në lidhje me dokumentacionin e tërhequr në Komision; dhe (iii) ky dokumentacion është konform me dokumentacionin e dosjeve që i është vënë në dispozicion sipas inventarit përkatës bashkëlidhur kësaj deklarate. Subjekti i rivlerësimit me shkresën nr... datë 2.10.2019, drejtuar Komisionit, në të cilën, ndër të tjera, ka njoftuar se bazuar në pikën 1, të nenit 65, të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në datën 27.9.2019 ka paraqitur me shkrim dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar mbarimin e statusit të prokurorit për arsye shëndetësore”, thuhet në vendimin e KPK.