TIRANË - Shqiptarja.com publikon ekskluzivisht fotot e presidentit Ilir Meta me dy eksponentë të botës së krimit, Xhevdet Troplinin dhe Altin Hajrin, teksa ndodhen duke festuar e ngritur dolli tek pista "Ventus Harbor" në Durrës në zonën e "Vollgës" që ish-deputeti Lefter Koka ka në pronësi.
Fotot ekskluzive mendohet të jenë bërë në korrik 2017, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qeshorit, ndërkohë që Ilir Meta ishte president i emëruar, dhe mendohet se "sebepi" ishte për të festuar fitoren e Lefter Kokës i dalë deputet nga këto zgjedhje. Vëllai i Lefter Kokës, Leonard Koka jep një tjetër version kur thotë se fotografitë i përkasin një feste me rastin e ditëlindjes së vëllait të tij, Lefterit dhe nuk i përkasin muajit korrik, por gusht.
Në këtë tryezë miqësore të mbushur me ushqime dhe alkool, presidenti Ilir Meta ka në krah Xhevdet Troplinin.
Në njërën nga fotot ekskluzive Meta shfaqet duke ngritur dolli teksa në krah ka pikërisht Xhevdet Troplinin, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe subjekt i OFL-së që duhet të justifikojë pasurinë.Në foton tjetër shfaqet Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit dhe ish-deputet i LSI-së, krah për krah me Altin Hajrin.
Ndërkohë në një foto që ka panoramë të gjithë tryezës, Meta e ka përballë Altin Hajrin dhe në krah të tij, si mikritësin e kësaj tryeze, Xhevdet Troplinin.
Nga pozicioni që janë ulur në tavolinë, duket që organizatori i festës është Xhevdet Troplini, i cili është ulur pikërisht mes Lefter Kokës që ka rastin për të festuar, dhe Ilir Metës, i ftuar si president dhe lideri që drejtoi gjithë fushatën e LSI-së, edhe pse ishte emëruar kryetar shteti. Pra fotoja lë shumë të kuptohet se nuk është një prezencë rastësore e Xhevdet Troplinit në këtë tryezë, ku shfaqet i pozicionuar në mesin e dy personazheve kryesorë të festës.