Ekskluzive/Berisha krijoi formacion me 111 kriminelë dhe i pajisi me raketa në ’97, liroi nga burgu krerët e bandave, u dha pasaporta diplomatike

3 Tetor 2020, 11:08

Në një kohë kur ushtria me militantë të Parisë Demokratike dhe njerëzit e SHIK-ut, me në krye gjeneralin e përgjithshëm Bashkim Gazidede, po shpartallohej dhe dezertonte në Jug të vendit, Sali Berisha, për të mbrojtur veten e tij, në mars të ’97, krijoi në mënyrë të paligjshme një formacion special i përbërë nga 111 kriminelë. Ky është një tjetër konstatim në raportin e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e ngjarjeve janar-qershor 1997. Nga hetimet e komisionit është zbuluar se formacioni i kriminelëve është pajisur edhe me raketa. Teksa krerët e reparteve refuzonin urdhrat për bombardimin e Jugut, Berisha krijoi dy garda paralele, për sigurinë e tij.

“Në këto ngjarje zë fill edhe shpërbërje totale e ushtrisë. Realiteti i shtetit shqiptar i kësaj periudhe dëshmon qartë se drejtuesit e këtij shteti e shkatërruan ushtrinë, (forcat ushtarake, policinë, SHIK-un, rendin, gardën). Përballë këtij fakti ne çmojmë si për veprim antiligjor edhe krijimin nga ish Presidenti Sali Berisha të një formacioni tjetër special (garda dy) në përbërje me ish-kriminelë, për ta përdorur atë për qëllimet e tij, sa që në strukturat e armatimit të kësaj garde u vendosën edhe raketa. Krijimi i kompanisë së dytë operative prej 111 vetash si strukturë ushtarake pranë Presidentit u bë në kundërshtim me ligjin e vitit 1992 për Gardën e Republikës”, thuhet në raport.

Sipas raportit të komisionit hetimor, Sali Berisha amnistoi, nxori nga burgu dhe pajisi me pasaporta diplomatike njerëz të botës së krimit, gjatë periudhës mars-qershor 1997, para se të largohej nga pushteti. “Gjatë periudhës mars-qershor 1997, me dekrete të veçanta, ish Presidenti Sali Berisha fali një numër të madh kriminelësh dhe persona në kërkim, të cilët u bënë krerët e bandave dhe një pjesë e mirë e këtyre pas amnistisë, si dhe shumë rekrutë që u inkuadruan në gardën presidenciale numër 2, u pajisën me porosi të presidentit me rreth 700 pasaporta shërbimi dhe diplomatike, duke përfshirë edhe tërë krushqinë e tij, të cilët i morën pasaportat në 12.3.1997, një ditë para situatës në Tiranë, veprime të cilat u kryen në kundërshtim me kriteret dhe rregullat ligjore”, thuhet në raport.

Berisha ka pajisur me pasaportë diplomatike edhe të birin Shkëlzenin, i cili me urdhrin e Berishës udhëtoi tek miku i familjes në Suedi, Hasan Berisha, ndërsa u kthye në vitin 2005, sapo babai u rikthye në pushtet. Me porosi të Berishës u pajisën me pasaportë diplomatike prindërit e bashkëshortes së Berishës, Liri Berisha, Rexhep Rama, Milica Rama, vëllai Agim Rama, si Miranda Rama, Erla Rama, dhe Fiona Rama.

Në raportin e komisionit hetimor reflektohen urdhrat për angazhimin e ushtrisë për shtypjen e revoltave popullore në Jug të vendit, bombardimin e porteve dhe urave, mobilizimin dhe armatosjen e militantëve të PD për të luftuar në Fier dhe Vlorë, lëvizjen e tankeve nga Zallherri drejt Vlorës etj. Urdhrat janë firmosur nga Sali Berisha ish-president, Leonard Demi ish-deputet dhe ambasador i Shqipërisë në NATO deri në 2017, Bashkim Gazidede ish-kreu i SHIK-ut famëkeq, Sheme Kosova ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Adem Çobanit që zëvendësoi Sheme Kosovën, Halit Shama ish-ministër i Brendshëm dhe Safet Zhulali ish-ministër i Brendshëm. Shaban Memia, Sabah Jemishta, Ibrahim Mullaliu dhe Blerim Çela kanë mobilizuar dhe armatosur militantët e Partisë Demokratike, për të luftuar kundër Jugut.