Ekskluzive-Biseda e përgjuar/ Si Zagani i jepte informacione kundrejt pagesës italianit

23 Dhjetor 2018, 13:31

Dritan Zagani, ish-oficeri i policisë që u bë i famshëm pë denoncimet ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri ka katër vite që është në arrati. Teksa ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndiqej penalisht nga prokuroria, Dritan Zagani gati katër vite më parë vendosi të largohej fshehtas nga Shqipëria, duke kërkuar azil politik në Zvicër.

Pikërisht nga Gjeneva, e Zvicrës, Zagani ish-shefi i sektorit të antidrogës në Fier filloi të flasë dhe denoncojë me emra konkretë zyrtarë të policisë së Fierit dhe Vlorës si të lidhur me krimin, duke akuzuar drejtpërdrejt ministrin e Brendshëm të kohës Saimir Tahiri, si të lidhur me grupin e Habilajve. Zagani në atë periudhë u cilësua hero nga opozita aktuale e vendit, ndërsa maxhoranca e cilësoi si një tradhtar të uniformës së policisë së Shtetit. Sot Zagani gëzon statusin e azilantit politik në Zvicër, ndërkohë herë pas here sulmon maxhorancën dhe bëhet protagonist i debateve televizive.

Por nga ana tjetër, ky njeri që cilësohet herë si hero dhe herë si tradhtar, rezulton në Shqipëri dy herë i dënuar, ku vendimi më i fundit për dënimin e tij, me 4.6 vite burgim është marrë nga gjykata e Fierit në nëntor 2018. “Shqiptarja.com” ka qënë ndër të parat media që raportoi dënimin e ish-oficerit të policisë së Shtetit, ndërsa nga numri I djeshëm e në vazhdim gazeta “Shqiptarja.com” do hedhë dritë mbi dokumenta gjyqësore, dëshmi të personazheve shqiptare dhe italiane, që janë dhënë në gjyqin kundër të Dritan Zaganit.