Ekskluzive-dosja e lobimit! Zbardhen letër-porositë nga Skocia, ja si një kompani fantazmë e lidhur me rusët pagoi 150 mijë $ për PD-në

9 Nëntor 2019, 14:14 | Përditesimi i fundit: 2019-11-09 17:37:40

TIRANE-Shqiptarja.com ka zbardhur dosjen e prokurorisë me 65 faqe për lobimin rus të PD-së në SHBA për të cilën autoritetet shqiptare kanë marrë të pandehur kryedemokratin Lulzim Basha, Arben Ristanin dhe financierin e PD Ilir Dervishin. Dy pagesat prej 650 mijë dollarë u paguan në emër të PD-së për lobim në SHBA në dy këste, 500 mijë dhe 150 mijë USD, por që transaksionet nuk u kryen nga Shqipëria.

E ndërsa njëra pagesë 500 mijë dollarë është kryer nga SHBA-ja, sipas Bashës nga vullnetarët e PD-së atje, pagesa tjetër prej 150 mijë dollarë u krye nga Skocia nga “Biniatta Trade”. Por kush është kjo kompani? Nga dosja e prokurorisë, bazuar te letër-porositë e ardhura nga Skocia rezulton se kompania fantazmë “Biniatta Trade” është e lidhur me dy ruse.

Në 17 korrik 2018 në adresë të prokurorisë së Tiranës ka ardhur përgjigja e letër-porosisë nga Skocia ku ka rezultuar se kjo kompani, “Biniatta Trade” nuk ka asnjë prani reale të biznesit në Skoci. Ajo nuk ka përfaqësues ligjor në Skoci të cilët mund të merren në pyetje.

Kjo shoqëri posedohet nga partnerët Asverro Corporation dhe nga Liminez Commerce, shoqëri të cilat janë të regjistruara në Belize në parajsat fiskale. Këto shoqëri administrohen nga Gina Sandra Esparon dhe Molli Rita Roselie. Nga kjo letërporosi përcaktohet se Gina Sandra Esparon është e përfshirë në të paktën 30 shoqëri tregtare ku njëra prej tyre është Alpha Consulting. Kjo shoqëri tregtare është në administrimin e shtetases ruse Natasha Radysheva. Gjithashtu përcaktohet se pjesë e “Alpha Consulting” është edhe shtetasja ruse Victoria Valkovskaya, pra dy ruse.

Në këtë letërporosi përcaktohet se Molli Rita Roselie merr pjesë në të paktën 55 shoqëri tregtare,ku vërehet se kjo shtetase ofron një adresë të njëjtë me Gina Sandra Esparaon “3 Gouer Street London” dhe gjithashtu jep një adresë të njëjtë me Shoqërinë tregtare “Alpha Consulting” dhe shtetaset ruse Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva “La Suite 5 Percy Street London”. Pra, shuma prej 150 mijë $ për llogari të Lulzim Bashës rezulton se është paguar nga një kompani fantazmë e lidhur me dy ruse.

Gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno shprehet se 'Basha ka pranuar të lidhet me dy ruset për të kryer pagesa për llogari të PD-së në kompaninë e Muzin. Në ditët në vijim pritet që të ketë surpriza. Hetimet mund të rihapen dhe mund të kemi skandale më të mëdha pasi Muzin pranoi që të dëshmonte' në lidhje me këtë dosje, tha ai.

Ndërkohë që njeriu që rrezikon të rëndojë situatën penale të Lulzim Bashës, është biznesmeni amerikan Nikolas Muzin, pra pikërisht ai që ka deklaruar në Thesarin e Shtetit amerikan shumën e paguar nga PD-ja, por që kjo e fundit nuk e deklaroi në KQZ. Amerikani Nikolas Muzin ka vendosur që të flasë për këtë çështje penale (lobimin e kryer) por ai do garanci për imunitet penal. Pra, ai do dëshmojë si një i penduar. Tani do të mbetet nëse do të jetë prokurorët shqiptarë që do të udhëtojnë atje, do të pyetet me video-konferencë, apo përmes letër porosisë (lexo ketu).

Dosja hetimore që dërgoi Lulzim Bashën në gjyq për lobimin
Marrëveshja e Konsultimit

Në dosjen e prokurorisë thuhet se në 10 prill 2017 është bashkëlidhur një akt-juridik i titulluar “Marrëveshje Konsultimi” e nënshkruar nga Lulzim Basha në emër të PD dhe nga amerikani Nikolas Muzin në emër të shoqërisë “Stonington Strategies/a division of Muzin Capitol Partners”. Gjithashtu janë bashkëlidhur dokumente të natyrës bankare ku evidentohet një marrëdhënie monetare midis dy subjekteve kontraktuese në masën prej 25.000 Dollarë. Në datën 30.11.2017  është kërkuar informacion nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në lidhje me pagesat e kryera nga subjekti politik P.D. gjatë fushatës zgjedhore.

Në këtë formular përcaktohet se ky subjekt politik ka një masë të ardhurash nga fondet publike prej 88.045.551 lekë dhe ka shpenzuar gjatë fushatës një sasi prej 58.197.289 lekë. Në këtë formular të sipërcituar nuk vërehen të dhëna për donacione,financime apo shpenzime me qëllim veprimtari lobimi pranë Shoqërive tregtare në ShBA. Nga tërësia dokumentare e veprimtarisë së subjektit politik të PD, parashtruar para KQZ. si dhe para Prokurorisë Tiranë ku zyrtarisht janë të fiksuara fondet publike të marra për fushatën zgjedhore nga PD dhe shpenzimi i tyre,si dhe dy pagesa prej 50.000 $ dhe 25.000 dollarë $ të kryera për dy shoqëri të ndryshme lobimi në ShBA.

Pagesa e PD më e madhe se shpenzimet ligjore të deklaruara në KQZ
Mirëpo në datën 27 shkurt 2018 nga ana e policia Gjyqësore është në internet faqja ëëë.Fara.gov, pjesë e faqes së Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Nga kqyrja e kësaj faqe rezultoi evidentimi i një dokumenti të titulluar “Supplement Statement” i datës 14 nëntor 2017,deklarim i të regjistruarit “Muzin Capitol Partners”. Në faqen e 13-të të këtij dokumenti i regjistruari i është përgjigjur pyetjes nëse gjatë 6 muajve të fundit të periudhës së raportueshme ka marrë apo jo kontribute apo para nga entitete të huaja. I regjistruari përgjigjet “PO” dhe parashtroi një tabelë ku përcakton se në datën 24 mars 2017 ka marrë një sasi prej 150.000 Dollarë nga shoqëria “Biniatta Trade”, në datën 27 mars 2017 ka marrë nga PD Shqipëri një sasi prej 25.000 Dollarë dhe në datën 9 qershor 2017 ka marrë një sasi prej 500.000 dollarë nga PD. për një total prej 675.000 Dollarë.

Nga kqyrja e faqes u evidentua dokumenti “Exhibit B to registration statement” i datës 14 nëntor 2017 bërë nga i regjistruari “Muzin Capitol Partners”. Në paragrafin e fundit të faqes së parë e më konkretisht në pikën 7 i regjistruari shprehet se shoqëria “Biniatta Trade” ka kompensuar të regjistruarin për veprimtari të kryera për llogari të PD në promovimin e lidershipit konservator në Shqipëri para udhëheqësve politike dhe të biznesit në ShBA. Në këtë mënyrë hetimi provoi se ku e kishin bazën pretendimet e sipërcituara mediatike. Sikurse shihet shoqëria tregtare lobuese “Muzin Capitol Partners” e drejtuar nga Nikolas Muzin në datën 14 nëntor 2017 ka bërë deklarime zyrtare pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë, ku i atashon drejt për drejt PD-së një shifër të paguar prej 525.000 Dollarë nga njëra anë dhe nga ana tjetër përsëri bën shtjellimin se edhe 150.000 Dollarë të paguar nga shoqëria “Biniatta Trade” janë paguar për të organizuar veprimtari për llogari të PD në ShBA.

Në total kjo shoqëri lobuese përcakton se Partia Demokratike e Shqipërisë ka shpenzuar një sasi prej 675.000 Dollar për lobim në territorin e ShBA. Kjo shifër e depozituar zyrtarisht në Departamentin Amerikan të Drejtësisë bie ndesh me dokumente zyrtar të PD dhe të KQZ. Nëse PD ka patur në total 88.045.551 lekë në dispozicion për shpenzime ligjore është e pamundur që të ekzistojë njëkohësisht panorama e shpenzimeve të deklaruara zyrtarisht të PD dhe shpenzimi i kryer për lobim në ShBA.

Lidhje e dy ruseve me “Biniata Trade”
Në 17 korrik 2018 në adresë të prokurorisë së Tiranës ka ardhur përgjigje e Letërporosisë nga Mbretëria e Bashkuar, më konkretisht nga Skocia. Në këtë letërporosi përcaktohet se shoqëria “Biniatta Trade” është regjistruar në një adresë në Edinburg/Skoci dhe ajo nuk ka asnjë prani reale të biznesit në Skoci. Ajo nuk ka përfaqësues ligjor në Skoci të cilët mund të merren në pyetje. Kjo shoqëri posedohet nga partnerët Asverro Corporation dhe nga Liminez Commerce, shoqëri të cilat janë të regjistruara në Belize City/ Belize. Këto shoqëri administrohen nga shtetaset Gina Sandra Esparon dhe Molli Rita Roselie.

Nga kjo letërporosi përcaktohet se Gina Sandra Esparon është e përfshirë në të paktën 30 shoqëri tregtare ku njëra prej tyre është Alpha Consulting. Kjo shoqëri tregtare është në administrimin e shtetases ruse Natasha Radysheva. Gjithashtu përcaktohet se pjesë e “Alpha Consulting” është edhe shtetasja ruse Victoria Valkovskaya. Në këtë letërporosi përcaktohet se Molli Rita Roselie merr pjesë në të paktën 55 shoqëri tregtare,ku vërehet se kjo shtetase ofron një adresë të njëjtë me Gina Sandra Esparaon “3 Gouer Street London” dhe gjithashtu jep një adresë të njëjtë me Shoqërinë tregtare “Alpha Consulting” dhe shtetaset ruse Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva “La Suite 5 Percy Street London”.

Dëshmia e Lulzim Bashës
Në lidhje më përfundimet e letërporosive dhe kryesisht me përgjigjen e ardhur nga Sh.B.A është pyetur Kryetari i Partisë Demokratike  Lulzim Basha. Ai është pyetur një për një për të gjithë dokumentet e ligjëruar nga kjo Letërporosi dhe për të gjithë këto dokumenta ai është shprehur se të gjithë të ardhurat e grumbulluara dhe shpenzimet e kryera për Fushatën elektorale të vitit 2017 Partia Demokratike i ka depozituar ligjërisht në K.Q.Z.

Lulzim BASHA shprehet se as ai dhe as P.D.  nuk kanë njohje dhe marredhënie me Shoqëritë “Biniatta Trade”, Asvero Corporation dhe Liminez Commerce dhe as me përfaqësuesit,pronarët apo administratorët e tyre.Organi proçedues i ka shtruar një pyetje konkrete Lulzim Basga,nëse ka ndërmarrë ndonjë “aksion” të natyrës Penale,Civile apo Administrative ndaj shtetasit amerikan Nikolas Muzin dhe shoqërisë tregtare Muzin Capitol Partners për faktet që kanë shprehur pranë Departamentit Amerikan të Drejtësisë në ngarkim dhe në dëmtim të P.D. dhe deklaruesi është shprehur se nuk është ndërmarrë asnjë veprim i tillë në këtë moment konkret kohor.

Ristani-Dervishi: Paguam 25 mijë USD
Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur dy herë Sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani. Në të dy deklarimet e tij ky shtetas shpjegon se ka dijeni vetëm për kontratën zyrtare me Muzin Capitol Partners për të cilën është kryer pagesa prej 25 mijë dollarë $ dhe nuk ka asnjë dijeni për asnjë pagesë tjetër e nuk komenton qëndrimet dhe thëniet e të tretëve. Rëndësi të veçantë në deklarimin e tij ka qëndrimi se kjo kontratë që pranohet nga PD me Muzin Capitol Partners është me karakter të përgjithshëm dhe jo elektoral-zgjedhor.

Ky qëndrim bie ndesh me shënimet zyrtare në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, sikurse është cituar më sipër qe kontratat lobuese kishin qellim zgjedhor.Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur dy herë Ilir Dervishi,me detyrë Drejtor Financiar pranë P.D. Në të dy herët ai shprehet se ka dijeni vetëm për kontratën zyrtare ku janë paguar 25 mijë dollarë $ dhe nuk ka dijeni për asgjë tjetër.

Dy ndasitë e mëdha dhe autogoli i Bashës
Deri në këtë moment të hetimit vërehen dy ndasi të mëdha midis dokumentacionit të ligjëruar të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe qëndrimit të tre përfaqësuesve të PD. Kundërshtia për një pagesë prej 650 000 dollarë extra nga ana e P.D. dhe fakti nese kontrata me Nikolas Muzin kishte qëllim zgjedhor apo jo. Kundërshtia e dytë ka një vlerë të rëndësishme në vetvete pasi nëse qëllimi do të ishte zgjedhor,shpenzimi duhej te deklarohej nga P.D. në aktet specifike për fushaten zgjedhore 2017 drejtuar K.Q.Z.çka nuk është bërë nga ky subjekt politik.

Në këtë kundërshti pesha provuese e secilës palë është e barabartë pasi pavarsisht se nga letërporosia prej Sh.B.A. kanë ardhur dokumente zyrtare në thelb ato janë rrjedhoje e qëndrimit personal të amerikanit Nikolas Muzin pasi nuk ka akte zyrtare që të provojnë përtej qëndrimit personal të Nikolas Muzin se shifra prej 500.000 dollarë ka shkuar në favor të tij prej PD apo që shifra prej 150.000 dollarë e “Biniatta Trade” është shfrytëzuar në favor të PD. Është vetëm qëndrimi i Nikolas Muzin që na e thotë këtë gjë e si përfundim nga të dy krahët kemi qëndrime personale njerëzish,pesha provuese e të cilave është e barabartë ligjërisht. Këtë barazi “e prish” një provë e tërthortë thotë prokuroria.

Më konkretisht në datën 21 dhjetor 2017 Lulzim Basha, me cilësinë e kryetarit të PD,ka marrë pjesë në një emision televiziv dhe ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur sipas tij në ShBA. për këtë ngjarje. Ai thotë: “….këto janë të deklaruara dhe të transferuara konform ligjeve shqiptare dhe amerikane. Kjo firmë lobimi ka marrë edhe kontribute të tjera,ka marrë një kontribut me një shumë prej 500.000 dollarë përmes një skeme plotësisht në përputhje me ligjin amerikan,të shqiptarëve amerikane që kanë bërë një “Found Raising” në ShBA. Kjo gjë është e dokumentuar. Janë në dijeninë time mbi 100 emra që kanë dhënë fonde. Kjo është një mbështetje që jepet për aktivitetin e P.D.Ky është një transaksion që bëhet midis “Found Raising” dhe kompanisë së lobimit. Këto para nuk kanë kaluar nga PD...”. Sikurse shihet thotë prokuroria, kjo provë e tërthortë lidhet plotësisht me dokumentat zyrtare të ardhur nga SHBA.,duke i dhënë përparësi provuese këtyre dokumentave në raport me qëndrimet e shtetasve të pyetur.

Bankat:Asnjë pagesë nga PD nuk është bërë drejt SHBA-ve
Janë hetuar lëvizjet bankare në bankat e nivelit të dytë në periudhën kohore 1 janar 2017 deri në 30 qershor 2017 dhe rezulton se PD nuk ka bërë dërgesa monetare në shifrën 500.000 dollarë $ apo 150.000 dollarë $ në asnjë subjekt jashtë Republikës së Shqipërisë dhe shoqëritë Stonington Strategies,Muzin Capitol Partners dhe Biniatta Trade nuk kanë përfituar këto shuma nga asnjë subjekt dërgues në Republikën e Shqipërisë. Nga këto lëvizje financiare është shkelur edhe neni 23/1 paragrafi i katert i ligjit “Për Partitë Politike”,duke u shmangur edhe detyrimet tatimore,pasi kjo shumë e madhe nuk është deklaruar në asnjë organ të administratës publike duke përfshirë edhe Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Nga kjo e dhënë del se njëri nga shkaqet e fshehjes së pagesës së kryer është edhe shmangia nga verifikimi i organeve Tatimore të Republikës së Shqipërisë. Në rastin konkret kemi hedhje të dhënat jo të përputhura me realitetin në formularin përkatës, me qëllim për të fshehur lobimin e bërë nga një kompani me administratorë të lidhur ne aktivitet biznesi me shtetase ruse. Është fshehur shuma prej 500.000 dollarësh që është dhënë “cash” nga subjekti Partia Demokratike tek kompania e huaj private për të bërë lobim në SHBA me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik,duke qënë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor të vitit 2017.