Ekskluzive-Lista e re/ Gjyqtarët me dosje dhe me emra të ndryshuar në Veting

17 Janar, 15:10

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka përcaktuar me anë të shortit një listë të re me 36 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët po i nënshtrohen skanimit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Shorti është hedhur më 15 janar, ndërsa Komisioni i Vetingut ka nisur menjëherë procedurat e rivlerësimit, duke administruar raportet e hartuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili ka zëvendësuar KLD.

Pas shqyrtimit të raporteve, trupat gjykuese të KPK dhe përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit do të nisin një hetim të thelluar për secilin rast. Në bazë të gjetjeve, KPK do të vendosë për secilin gjyqtar dhe prokuror shkarkimin ose konfirmimin në detyrë. Pjesë e listës së re është edhe ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, tashmë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Pjesë e listës është gjyqtari i Apelit në Vlorë, Petrit Aliaj, i kallëzuar penalisht nga ILDKP në 8 qershor 2015 për deklarim të rremë të pasurisë, fshehje pasurie, falsifikime dokumentesh, transferta të dyshimta etj. Më 28 shator të 2015, Ministria e Drejtësisë, bazuar në dosjen e ILDKP, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin e gjyqtarit. KLD, në mbledhjen e 10 shkurtit të 2017, vendosi rrëzimin e kërkesës, ndërsa dosja e ILDKP është mbyllur nga prokuroria. Nga verifikimet që ka bërë Shqiptarja.com, Petrit Aliaj ka ndryshuar edhe gjeneralitetet, ku mbiemri i tij i parë rezulton të jetë, Petrit Vejzadi.

Kategori të tjera