Ekskluzive/Nga Hajrat te Doçajt, 15 pasuritë e sekuestruara nga OFL! Dokumenti i bilancit të pronave

14 Shkurt 2020, 11:32

Kompleksi "Golden" i kthyer në një skenë krimi, karburant, vila luksoze me pishina, sipërfaqe toke, automjete e ndërtesa të tjera banimi e shërbimesh, janë pasuritë që u janë sekuestruar Hajrave dhe Doçajve, të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar 2020. Report Tv siguron ekskluzivisht listën e të gjitha pasurive të sekuestruara Altin Hajrit dhe Gentian Doçit, në kërkim nga policia, si dhe të afërmve të tyre apo personave të tretë me pasuri që ka dyshime të mos i justifikojnë me burime të ligjshme. Sekuestrimet janë bërë në kushtet e emergjencës me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu pas kërkesës së OFL-së dhe brenda një muaji presin konfirmimin nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Me aktin normativ anti KÇK të miratuar nga qeveria, këto prona mund të përdoren nga shteti edhe në gjendje sekuestroje (ende pa u vulosur konfiskimi që kërkon një proces më të gjatë gjyqësor).