Ekspedita ‘Mesdheu’: Detet Adriatik, Jon dhe Tirren, emergjencë nga plastika

30 Shtator 2019, 09:53

Ekspedita detare, shkencore dhe kulturore ‘Mesdheu’, pas 6 vite lundrimi dhe studimi në gjithë Detin Mesdhe, Detin e Zi, Veriun e Detit të Kuq dhe brigjet e Atlantikut që lagin Portugalinë, Spanjën dhe Marokun, e ngarkuar me njohuri dhe përfundime të sakta shkencore në lidhje me ndotjen e deteve të Mesdheut, do t’i jap fund udhëtimit prej 17,000 miljesh në 12 tetor në Genova të Italisë.

Të dhënat e grumbulluara nga ekspedita tregojnë se 50% e bregdetit të Mesdheut rrezikon të çimentohet deri në vitin 2025 dhe se nga 400 milion ton plastikë që prodhohet çdo vit në botë, 130 ton përfundon në detet Adriatik, Jon dhe Tirren. Por duke patur parasysh se prodhimi i plastikës në botë rritet çdo vit me nëntë përqind, e ardhmja e këtyre deteve duket e errët.

Ekspertët vlerësojnë se në botë krijohen rreth 8 milion ton mbetje në vit, 10 % e të cilave përfundon në det.

Nga raporti mjedisor i ekspeditës, del se në plazhet e Mesdheut, mbi 80% e mbeturinave janë plastikë, 10 % bishta cigaresh dhe 5 % pambuk.

Steven Loiselle, Koordinator e projektit ‘Mesdheu’, thotë se kemi ende shumë për të zbuluar. Jemi vetëm në fillim. Tani për tani po përcaktojmë sasinë e fenomenit. Ne nuk e dimë se ku përfundojnë shumica e mikroplastikës dhe nuk e dimë se cilat janë efektet në jetën e faunës. Ne dimë disa gjëra, por ende nuk kemi një pasqyrë të përgjithshme të proceseve biologjike dhe kimike që ndodhin në ujërat e Mesdheut."