Ekspertët e ministrit Genc Ruli ulën deri 75% vlerën e godinave që Jamabër Malltezi duhet t’i paguante Shtetit

22 Shkurt 2021, 19:55 | Përditesimi: 22 Shkurt 2021, 19:55

Report Tv zbuloi që për Kompleksin Partizani ka në fakt dy Raporte të Vlerësimit. I pari, shumë i detajuar dhe i përbërë nga 52 faqe, dërgohet nga Ministri i Ekonomisë Genc Ruli në Ministrinë e Financave në datën 20.05.2008 me numrin e protokollit 4660: këtu vlera e ndërtesave që do të paguhen nga ish pronarët llogaritet në 43 milion lekë të reja, ndërsa vlera e tokës (për të cilën ish-pronarët nuk do të duhet të paguajnë asgjë) llogaritet mbi 505 milionë. Por, me sa duket, edhe ato 43 milionë janë konsideruar tepër për të paguar, dhe kështu çuditërisht pas dy muajsh, prapë ministri Genc Ruli më datën 22.07.2008 me numrin e protokollit 6120, dërgon një raport të dytë Vlerësimi. Dokumenti rezulton i shkurtuar në vetëm 29 faqe dhe këtu vlera e ndërtesave, pra shuma që Jamarbër Malltezi dhe trashëgimtarët e tjerë do të duhet t'i paguajnë Shtetit, është ulur në 10 milionë lekë të reja. Si kundërpeshë është rritur në 710 milionë lekë të reja vlera e truallit, por kjo shumë nuk prek xhepat e ish pronarëve sepse për truallin ata nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë.

Nga 10 milionë të reja si vlerë të ndërtesave të mbetura nga rikalkulimi dashamirës i ekspertëve të Genc Rulit, Jamarbër Malltezi dhe 63 pronarët e tjerë duhet të paguajnë cash vetëm 20%, pra saktësisht 2,021,800 lekë, që korrespondon me rreth 14,000 euro. Por trashëgimtarët nuk do të paguajnë as këtë shumë për Shtetin. Në momentin e pagesës, në fakt, del ne skenë kompania "Kontakt shpk" me administratorin Fatmir Bektashi, duke deklaruar se ai dëshiron të kryejë "blerjen e ish-kompleksit sportiv Partizani për llogari të ish-pronarëve". Një formulë e paqartë që ngre dyshime të tjera në lidhje me legjitimitetin e operacionit. Sidoqoftë, ministri Genc Ruli pranon procedurën, "Kontakt shpk" paguan 2 milionë lekë në bankë dhe privatizimi i superpronës përfundon.

r.k./Shqiptarja.com