Eksploziv televizionit grek 'Skai', sulmi dyshohet nga organizatat ekstremiste

17 Dhjetor 2018, 08:10

Stacioni televiziv privat grek “Skai” ka rënë pre mbrëmjen e djeshme e një shpërthimi eksplozivi. Mediat fqinje raportojnë se shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale dhe se paraprakisht dyshohet se pas saj fshihen organizata të ekstremit të majtë dhe anarkistëve.

Konkretisht, shpërthimi i eksplozivit ka shkaktuar dëmtime në pjesën e përparme të ndërtesës si dhe në banesat dhe në makinat që ndodheshin pranë godinës. Forcat policore kanë mbërritur në vendngjarje, e kjo e fundit mësohet se është rrethuar me perimetër sigurie.

Duke folur për 'Skai' nga vendi i ngjarjes, ministrja greke për Mbrojtjen e Qytetarëve, Olga Gerovassili u shpreh se sulmi ka shënjestruar demokracinë. " Megjithatë, demokracia është e mbrojtur dhe natyrisht nuk është e kërcënuar," tha më tej ajo.

“Skai” është një nga stacionet televizive më të mëdha të Greqisë dhe pjesë e një grupi medial që përfshin edhe një stacion radioje; është i lidhur me gazetën kryesore greke, “Kathimerini”.