Ekspozita/ Studentët e arteve “arratisen në fëmijëri”

15 Korrik 2020, 16:34

Studentët e arteve të degës së pikturës kanë ekspozuar në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore punët e realizuara gjatë pandemisë COVID 19. Nën titullin “Arratisje” ekspozita e kuruar nga profesorët Edmond Gjikopulli dhe Zef Paci sjell refleksionet e të rinjve artistë në pikturë.
“Ka qenë një periudhë e pazakontë, sikundër për të gjithë. Natyrisht që ishte një moment i pazakontë dhe për këtë atelier që operon me lëndën. Pjesa më e madhe u pa në mënyrë virtuale, duke u konsultuar në sistemin online të shkollës”, shprehet profesor Zef Paci.

Studentët në këtë situatë të vështirë mbarëglobale kanë zgjedhur si strehë të kaluarën e tyre, fëmijërinë, por edhe marrëdhënien që kanë me kafshët shtëpiake.

“Ndihet një farë kërcënimi, izolimi i fëmijëve që përshkojnë grilat, një pjesë tjetër e rivizitojnë të kaluarën, duke bërë një ecje mbrapa, nga koha reale, duke kujtuar fazat të ndryshme të moshës deri në fëmijërinë e hershme”, shprehet profesor Paci.

“Ndryshe nga çdo temë që u është dhënë zakonisht studentëve, kësaj radhe i bashkon një dëshirë e përbashkët për t’u arratisur nga diçka e keqe. Në mënyra të ndryshme secili është përpjekur që të krijojë mjedisin e tij personal, herë duke u kthyer në të shkuarën, herë duke imagjinuar se si do ta donin ata jetën, herë duke trajtuar njerëzit e tyre më të dashur”, shprehet profesor Gjikopulli.

Ekspozita vazhdon të qëndrojë hapur në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore.