Ekspozita /Zanatet tradicionale në vendin tonë në zhdukje

12 Shtator 2019, 17:04

Mjeshtërit më të mirë të zanateve tradicionale nga të gjitha trevat shqipfolëse këto ditë ekspozojnë punimet e tyre në Kalanë e Tiranës. Prodhime artizanale që rizgjojnë traditën e vendit tonë, si kostume popullore shqiptare, qeleshe dhe llulla, rrugica të punuara në tezgjah, stoli të ndryshme në argjend për gra edhe për vajza, si unaza apo varëse, çanta dhe shporta, mbajtëse vere artizanale me thupra janë vetëm disa nga produktet e ekspozuara në Panairin e artizanëve në Kalanë e Tiranës.

“Unë prej 30 vitesh punoj me këtë zanat. Për mua nuk është e vështirë, se unë e kam zanat. E bëj me shumë dëshirë edhe krijoj çdo ditë modele të reja. Edhe kam një favor, sepse burrin e kam marangoz dhe ai më ndihmon. Njerëzit nuk e njohin, por duhet që të njohin edhe këta artikuj, t’i vënë në lëvizje për t’i blerë. Shteti nëse ka mundësi të na ndihmojë, se ky është një zanat në zhdukje. Unë e kam trashëguar tek fëmijët, por të tjerët nuk kam mundësi se si t’i ndihmoj. Por edhe fëmijët kanë drejtime të tjera. Nuk e di nëse ata do t’i trashëgojnë, dëshira jonë është që të ruhen. Ka pasur raste që edhe e kam ndërprerë këtë zanat. Për ta bërë duhen kushte, vendi i punës dhe materialet”, shprehet Sanije Gjeçovi nga Shkodra.

Panairi i artizanëve synon, që të promovoi punët tradicionale në gur-alabastër, agjent dhe në bakër. Një nga përfaqësueset e grave argjendare nga Prizreni rrëfen lidhjen e këtij qyteti me këtë traditë, që deri më sot është ruajtur brez pas brezi.

“Jam argjendarë që nga viti 1986, me argjend edhe çelik. Prizreni është një qytet fisnik për argjendari, sepse zanafilla është e hershme. Ky zanat është shumë i vlerësuar, populli ynë di shumë mirë që të vlerësojë punët e dorës, por kushtet ekonomike na shkëpusin nga blerja e tyre. Edhe nëse nuk mundet që t’i blejmë ato nuk do të ruhen. Në shoqatën tonë kemi jo vetëm filigran, por edhe piktore, që punojnë me lesh, për tirqe edhe për plisa. Me to mund të bëjmë shaje të bukur, edhe aksesorë të ndryshëm. Kemi lëndën e parë, me të cilat mund të punohet”, shprehet një tjetër artizane, Zegjan Cerina, nga Prizëreni.

Ndonëse, punimet në dru, bakër, alabastër, në arë dhe argjend, lëkure, leshi etj., janë dëshmi të identitetit tonë kombëtar, të interesuarit janë kryesisht të huaj.

    No videos found.