Ekspozitë për faunën shqiptare, ambasadori Sylë Ukshini: Jeta s’duhet të jetë vetëm politik

9 Korrik 2019, 17:36

Rreth 20 fotografi të realizuara nga artistë shqiptarë për “Botën e egër shqiptare” janë ekspozuar në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Tiranë. Bota natyrore e kafshëve edhe e shpendëve të egra vjen e dokumentar nga fotografë, si Besnik Jakupi, Arian Mavriqi, Lulzim Demaj, Ridvan Sokoli etj., të cilët kërkojnë që vëmendja të jetë më e madhe ndaj kësaj pasurie, që vendi ynë mbart. Vet ambasadori i Kosovës, Sylë Ukshini teksa flet për rëndësinë e kësaj ekspozite, shton se shoqëria jonë duhet që të jetë më e ndjeshme, për shkak që në të ardhmen të mos zhduken.

“Unë kur kam kontaktuar me drejtuesit e Ëildlife, me Arian Mavriqin, i cili më ka folë për idenë e kësaj ekspozite, që më është dukur shumë interesante, sepse ne jo vetëm kemi shumë pak informacion, por jemi mësuar të flasim përherë vetëm për luftën dhe situata të tjera. Vendosëm që t’i ekspozonim në ambasadë, sepse ideja e organizatorëve është që ekspozita të jetë në natyrë. Kur shikon këto fotografi, kupton se sa e pasur është fauna shqiptare. Ata propozojnë që në planprogramet mësimore të Kosovës dhe të Shqipërisë të ketë materiale ilustruese nga vendi ynë”, shprehet  Sylë Ukshini, ambasador i Kosovës në Tiranë.

Ekspozita synon që të transmetojë artistikisht mesazhin e ndërgjegjësimit tek të gjithë shqiptarët, brenda edhe jashtë trojeve shqiptare, duke shtuar kështu edhe dashurinë për planetin që jetojmë

“Natyra ka ndërtuar balancat e veta. Flora edhe fauna për hir të një lloj balance nuk mund të jetojnë pa njëra-tjetrën. Prandaj mendoj se duhet që t’i kushtojmë shumë kujdes, duke investuar edhe në këtë drejtim”, thotë Ukshini.

Vet ambasadori shprehet se jeta nga mëngjesi në mbrëmje nuk është vetëm politikë, sepse ka edhe gjëra të bukura që duhet shijuar përtej saj. Ndërsa, komenton edhe situatën politike që ndodhet aktualisht vendi ynë.

“Ngjarja përkoi me demonstratën. Të them të drejtën, ju në Shqipëri bëni demonstrata shumë shpesh. Kur kemi vendos për datën nuk e dinim për këtë. Por pavarësisht kësaj i ka dhënë shije edhe ekspozitës. Unë mendoj se përfaqësuesit diplomatik të vendeve të tjera (natyrisht ne jemi vëllezër) nuk na takon që të bëjmë komente për situatën e brendshme politike, sepse janë qytetarët e saj që kanë në duar fatin e tyre. Ajo që dëshirojmë ne është që Shqipëria të jetë e qetë, të ketë progres edhe të hap sa më shpejt negociatat për anëtarësim në BE. Një Shqipëri e fuqishme është në avantazh për Kosovën. Një Kosovë e qëndrueshme  është edhe në avantazh për Shqipërinë” vijon ambasadori, i cili shton se të protestosh është një e drejtë demokratike.

“Protestat janë të qeta edhe nuk ka përplasje. Nuk ka përplasje edhe dhunë mes organeve të rendit, por po e them sërish se çështjet e brendshme nuk u takojnë përfaqësuesve të vendeve të tjera, që të japin mendime se nga duhet që të shkojë Shqipëria”, përfundon Ukshini.

Ekspozita do të qëndrojë hapur deri në datë 12 korrik në Ambasadën e Kosovës.

v.d./Shqiptarja.com