TIRANË - Është ekstraduar më në fund në Shqipëri, Arbër Çekaj, pronari i kompanisë "Arbi Garden" në kontenierët e së cilës bashkë me babanet u zbuluan nga policia 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kapur e kësaj lënde narkotike. Lajmin për ekstradimin e tij nga Gjermania, e dha Zv/Drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, sot në një deklaratë për mediat. Arber Çekaj u arratis në Gjermani pas zbulimit në Portin e Durrësit të kokainës së ardhur nga Kolumbia në mars të vitit 2018, dhe kërkoi atje azil politik me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Shkalla e parë e gjykatës gjermane vendosi për ekstradimin e Çekajt në Shqipëri, por më tej pronari i "Arbi Garden" kërkoi apelimin e vendimit. Së fundi, Shqiptarja.com mëson se Çekaj është tërhequr nga Apeli, çka solli edhe ekstradimin e tij në Shqipëri. Arbër Çekaj mbërriti sot në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas dhe më tej u shoqërua me forca të policisë për në ambientet e burgut 313 në Tiranë. Çekaj do të njihet me masën e sigurisë arrest me burg dhënë në mungesë ndaj tij, ndërsa pritet që të kërkojë ndryshimin e saj për tu hetuar në liri.
Në Shqipëri, Arbër Çekaj akuzohet nga Prokuroria për Krime të Rënda për trafik të lëndëve narkotike.Në pranga është menaxheri Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierët me banane dhe kokainë drejt magazinave të Arbri Garden në Maminas ku u zhvillua dhe operacioni i arrestimeve nga policia që zbuloi kokainën me vlerë 180 milionë euro. Arbër Çekaj u arratis në Gjermani duke i shpëtuar autoriteteve shqiptare dhe u arrestua pak kohë më pas.