Ekzekutimet mafioze dhe kërcënimet/ Lleshaj dhe Veliu vizitë blic në Shkodër

3 Prill 2019, 17:41 | Përditesimi i fundit: 2019-04-03 20:50:58

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu rreth orës 17:00 të pasdites së sotme kanë mbërritur në qytetin e Shkodrës.

Lleshaj, Veliu dhe drejtuesi i prokurorisë po zhvillojnë një takim në Prefekturën e kryeqendrës së veriut, ndërsa referuar situatës në Shkodër, temë e diskutimit mendohet se janë ngjarjet e fundit dhe koordinimi mes institucioneve për të zbuluar autorët e vrasjeve dhe kërcënimet.

Vizita blic vjen disa orë pasi disa persona me synimin për të ndërhyrë në formacion kanë kërcënuar dhe kanë bërë presion ndaj administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë, Suad Lici, drejtorit teknik Engin Firat si dhe trajnerit Agim Canaj. Pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali, Veliu shkarkoi nga detyra drejtorin dhe zv/ drejtorin e Drejtorisë së Shkodrës duke dërguar Niko Brahimajn me synim rikthimin e sigurisë. Kjo është vizita e tretë e Lleshajt në Shkodër brenda pesë ditëve. Pas vizitës të shtunën kur ndodhi vrasja, Lleshaj ishte të hënën kur prezantoi prefektin e ri, ndërsa sot udhëtoi për herë të tretë.