Ekzekutimi i ‘Çekiçit’, policia lë të lirë të shoqëruarit! 43-vjeçari - vrasësve: Hapni rrugën gangstera

21 Mars 2021, 12:38

Mond Çekici as që duhej ta kishte çuar nëpër mend se disa sekonda më vonë do të ekzekutohej kur u tha dy të maskuarve në makinën e tyre, vetëm 3 m larg, hapni rrugën gangestera.

Prita ishte e qëllimshme dhe mbi 43 vjeçarin u dërdhën breshëri plumbash kallashnikovi. E gjitha ndodhi për 20 sekonda, në lagjen 16 të Durrësit, aty ku banonin prindërit e tij. Ish anëtari i banës së Durrësit mori 6 plumba në trup për shkak se kishte hapur derën e makinës çastin kur sulmoi verbalisht ata që e kishin marrë shënjestër, trupi u shemb jashtë në tokë.

24 orë pas vrasjes që tronditi qytetin bregdetar, policia ka shoqëruar më shumë se 20 persona. Pas marrjes në pyetje ata u lënë të lirë pasi nuk kanë ndihmuar shumë grupin hetimor në lidhje me ekzekutimin e Çekiçit. Të shoqëruarit kryesisht familjarë të viktimës dhe persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen.

Autorët kanë qenë dy, të kamufluar me veshje ushtarake dhe të maskuar me shall e kapuç. Pas të shtënave janë larguar me makinën e tyre “Benz” të zi, ndërsa e dogjën në fshatin Kantund i Sukthit  “Benz-i” i zi ishte me targa të vjedhura në Tiranë dhe brenda u gjet një armë e krimit tip kallashnikov AK-47, e cila dyshohet të jetë blerë jashtë vendit.

Policia ka ushtruar kontrolle në disa zona në Durrës, por deri tani akoma nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të vrasjes. Pista kryesore e hetimeve është e kaluara e 43-vjeçarit. Mond Çekiçi ishte shoku i ngushtë i Edmir Bregut, nga Kukësi, i cili gjithashtu është ekzekutuar dy muaj më parë po me breshëri kallashnikovi në po të njëjtin vend ku u vra Çekiçi.

Ai konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në qytetin bregdetar, por rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.