Ekzekutohet në qytetin e Vlorës me armë zjarri tip kallashnikov 40-vjeçari Gentjan Qarri, i njohur me pseudonimin "Geçe". Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:16, në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të Bibliotekës të qytetit.
Viktima ishte duke ecur në këmbë ndërkohë që nga një automjet me dy persona të kamufluar brenda është qëlluar me breshëri plumbash, mbi 20 herë duke e lënë fillimisht të plagosur. Gentjan Qarri është qëlluar në gjymtyrët e poshtëm dhe në gjoks ku si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. 40-vjeçari Gentjan Qarri sapo kishte dalë nga banesa e tij në momentin ku dy persona nga një makinë kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashnikovi. Autorët kanë qëlluar pa pushim deri sa i ka ngecur arma pasi i kanë mbaruar fishekët. Qarri jetonte në një pallat në katin e 12-të pranë vendit ku u ekzekutua.
Autorët e kamufluar dyshohet se janë larguar në drejtim të Pyllit të Sodës, ku është gjetur një makinë e djegur tip "Toyota Yaris" që dyshohet se është e tyre dhe prej andej lajnë larguar me një makinë tjetër. Brenda automjetit është gjetur edhe një kallashnikov tip "Sharrs" që mendohet se me të mund të jetë përdorur për ekzekutimin e 40-vjeçarit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja plumbash, ku pritet të bëhet ekspertiza nëse i përkasin kallashnikovit të gjendur brenda makinës së djegur.
40-vjeçari kishte qenë i dënuar me 11 vite burg për drogë në Itali. Ai kishte 3 vite që kishte përfunduar dënimin dhe ishte kthyer në Vlorë, ku ishte martuar dhe punonte si hidraulik. Për shkak të dënimit me drogë pista e hetimit është përqëndruar tek larja e hesapeve.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit. Gjithashtu pritet që kamerat e sigurisë së bizneseve që janë në vendin e ngjarjes të hedhin dritë mbi identifikimin dhe kapjen e autorëve. Pas ngjarjes policia ka shoqëruar disa persona mes të cilëve dëshmitarë okularë, njerëz të cilët kanë qenë pranë vendit ku ndodhi ngjarja.