Ekzekutohet pranë biznesit të tij në Tropojë djali i tezes së Fatmir Haklajt

6 Janar 2020, 11:11

TROPOJE-Një biznesmen, pronar i një pike karburanti dhe restoranti është vrarë mbrëmë me armë zjarri rreth orës 23:32. Viktima është Guxim Gjyriqi 47 vjeç, djali i tezes së Fatmir Haklajt. Ai është vrarë pranë pikës së karburantit të tij në lagjen "Partizani". Autori i ka zënë pritë dhe e ka ekzekutuar, ndërsa më pas është larguar duke humbur gjurmët në errësirë duke përfituar nga nata. 

Ende nuk dihet nëse vrasja e kushëririt të parë të Fatmir Haklajt lidhet me ndonjë konflikt të castit apo hakmarrje. Por kush ishte Fatmir Haklaj? Fatmir Haklaj ka qenë ish- shefi i komisariatit të policisë së Tropojës. Më 9 janar të vitit 1998, ai dha dorëheqjen nga posti i shefit të komisariatit. Fatmir Haklaj dha dorëheqje nga strukturat e policisë së shtetit, menjëherë pasi iu vra vëllai Shkëlqim Haklaj. Ndërkohë që u vra më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi.