Ekzekutohet pranë biznesit të tij në Tropojë Guximtar Gjyriqi, autorët djegin makinën në Has

6 Janar 2020, 15:04

TROPOJE - Një biznesmen, pronar i një pike karburanti dhe restoranti është vrarë mbrëmë me armë zjarri rreth orës 23:32. Viktima është Guxim Gjyriqi 47 vjeç. Ai është vrarë pranë pikës së karburantit të tij në lagjen "Partizani". Autori i ka zënë pritë dhe e ka ekzekutuar, ndërsa më pas është larguar duke humbur gjurmët në errësirë duke përfituar nga nata, ndërsa u gjet e djegur makina e tij në fshatin Golaj të Hasit.

Vëllai i Guximtar Gjuriqit ka qenë shok i ngushtë me Fatmir Haklajn, ish-shefin e komisariatit të policisë së Tropojës, që dha dorëheqjen nga posti më 9 janar 1998. Ende nuk dihet nëse vrasja e Guximtar Gjyriqit lidhet me ndonjë konflikt të castit apo hakmarrje, por burime konfidenciale thanë për Shqiptarja.com se familja Gjyriqi nuk ka pasur lidhje me atë se çfarë ndodhi me Haklajt, dhe janë të vetmit që nuk kanë lëvizur nga Tropoja, duke jetuar të qetë ndër vite. 

Fatmir Haklaj dha dorëheqje nga strukturat e policisë së shtetit, menjëherë pasi iu vra vëllai Shkëlqim Haklaj. Ndërkohë që u vra më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së Guxim Gjyriqit, që e konsideron të paqartë, identifikimin dhe kapjen e autorit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, Kukës dhe dy grupe të FNSH, vazhdojnë kontrollet dhe krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Viktima në komunitet njihej si njeri i qetë pa konflikte dhe probleme.