Ekzekutoi biznesmenin e ndërtimit në Himarë, gjykata 'kyç' në burg Kliti Lekën: Nikoja më mashtroi

20 Tetor 2020, 17:52 | Përditesimi: 20 Tetor 2020, 17:52

Gjykata e Vlorës ka vendosur arrest me burg për Kliti Lekën, si personi i dyshuar për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit Nikollaq Goro. Si shkak i ekzekutimit, Kliti Leka shprehet se ka qenë një borxh ku biznesmeni Goro i mori tokën për ndërtim, por më pas nuk i dha paratë që i kishte premtuar.

Gjykata ka pranuar gjatë seancës së sotme pretencën e prokurorisë arrest me burg për akuzat  “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa lejë të armëve e municioneve të zjarrit”. Gjatë seancës 53-vjeçari Kliti Leka është shfaqur i qetë dhe se ka pranuar avokatin mbrojtës të përcaktuar nga gjykata. Ai ka bërë një prezantim të vetes së tij duke thënë se është radiolog dhe se ka emigruar prej viteve 1990 jashtë Shqipërisë.

Disa familjarë të Kliti Lekës kanë dashur të jenë prezent në seancë, por nuk janë lejuar dhe ajo është mbajtur me dyer të mbyllura.

“Shqiptarja.com” zbardhi më herët dëshminë e 53-vjeçarit Kliti Leka, i cili ka treguar se ka kryer ekzekutimin e Nikollaq Goros, në kushtet e pamundësisë, për ti marrë apartamentet në pallatin që Goro kishte ndërtuar mbi sipërfaqen e tokës që Leka, i kishte vënë në dispozicion.

…Jam me profesion radiolog, jam beqar dhe me 14 klasë. Me Niko Goron kishin rënë dakord të bënim biznes, ku unë pranova dhe kam firmosur një kontratë noteriale për vënien në dispozicion të një sipërfaqe toke prej 2650 metra katror që ndodhet në Himarë. Ndërsa Nikollaqi ka firmosur duke rënë dakord që të ndërtonte një pallat disa katësh mbi këtë sipërfaqe toke që unë disponoja,dhe si këmbim ai do me jepte 3 apartamente. Dokumentet dhe marrëveshjen noteriale e kam në makinë, por mjeti që unë mora me qira në Tiranë dhe që më pas e përdora në vrasje, nuk mund të hapet pasi, çelësat e makinës në ikje e sipër me vrap,i hodha brenda në det. Jam fshehur në vendin e quajtur ish-prozhektori dhe aty ka qëndruar derisa ka ardhur policia. Nuk kam bërë asnjë rezistencë kur kanë ardhur policët, por jam dorëzuar menjëherë…”-ka deklaruar 53-vjeçari Kliti Leka.

b.ha./Shqiptarja.com