Ekzekutoi motër e vëlla! Policia kontroll me dron dhe 5 mln lekë për kapjen e ish-burrit vrasës në Rrëshen

26 Shkurt 2020, 11:43 | Përditesimi i fundit: 2020-02-26 15:36:27

RRËSHEN-Zbardhen detaje të reja nga vrasja e dyfishtë mbrëmjen e djeshme. Vëlla e motër janë ekzekutuar me breshëri automatiku në oborrin e shtëpisë. Esmeralda Filopati punonte shitëse tek një market në qytetin e Rrëshenit, ndërsa mbrëmë i vëllai kishte shkuar ta merrte tek puna dhe teksa po ktheshin në shtëpi janë qëlluar për vdekje.

Fatmir Kolecaj nuk ka debatuar me ish-gruan dhe kunatin, por i ka pritur në errësirë në cep të shtëpisë dhe në momentin që po futeshin në oborr i ka qëlluar me breshëri duke i lënë të vdekur në vend. Policia vijon kontrollet në zonë për kapjen e autorit, ndërsa kërkon edhe ndihmën e qytetarëve duke vendosur 5 mln lekë shpërblim për cilindo që jep informacion për vendndodhjen e 47-vjeçarit. Forca te shumta policie po ushtrojnë kontrolle në zonë, pasi 47 vjeçari Fatmir Kolecaj dyshohet të jetë i fshehur aty, duke qenë se është edhe zonë e pyllëzuar.Debatet mes çiftit kanë qenë të hershme për shkak të kujdestarisë për fëmijët, që 47-vjeçari nuk ka mundur ta marrë ligjërisht edhe për arsye të historikut që kishte pasur më parë me dënimin për dhunë në familje. Esmeralda Filopati ishte divorcuar prej tre vitesh nga Kolecaj. I dënuar me 10 muaj burg për dhunë në familje, autori i krimit e kishte kërcënuar edhe njëherë më parë se do ta vriste me thikë ish-bashkëshorten e tij, e cila ishte shpëtuar nga fqinjët.RENEA dhe FNSH vijojnë kontrollet në zonën e Mirditës për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes së dyfishtë mbrëmjen e djeshme, Fatmir Kolecaj. Përpos efektivëve në terren dhe shpërblimit me 5 mln lekë për qytetarët që japin informacion mbi vendndodhjen e 47-vjeçarit, policia ka ngritur edhe dronin në zonën që dyshon se fshihet Kolecaj për ta lokalizuar dhe arrestuar.Familja Filopati në Rrëshen ka hapur dyert e mortit për të përcjellë në banesën e fundit motër dhe vëlla që u vranë nga 47-vjeçari Fatmir Kolecaj. Autori ka ndjekur lëvizjet e ish-gruas duke e pritur në hyrje të shtëpisë në errësirë ku i bëri pritën për t'i qëlluar më pas me breshëri duke e lënë të vdekur së bashku me vëllanë. Shkak i konfliktit ka qenë kujdestaria e fëmijëve. Gazetari i Report Tv Elvis Hila raportoi për Report Tv se familjarët dhe të afërmit e dy viktimave janë shprehur se 'Esmeralda dhe Fatmiri nuk kanë pasur kontakte prej momentit që është arrestuar dhe është dënuar nga gjykata në vitin 2017". 36-vjeçarja pas ndarjes nga burri jetonte me prindërit dhe vëllanë që kishte pak ditë që ishte kthyer nga Italia në Kodër Rrëshen.